Këngët e Dua Lipe janë dëgjuar më shumë herë se sa këngët e ndonjë artisti tjetër në Mbretërinë e Bashkuar vitin e kaluar, pasi albumi i saj fitues i shumë çmimeve “Future Nostalgia” kryesoi në top listat britanike.
Këngëtarja shqiptare u bë e famshme në vitin 2017 me këngën “New rules” dhe tani ajo po shijon një vit yjor me albumin e saj disko-pop, duke fituar çmime Grammy dhe Brit. Lipa i dha fund mbretërimit të Ed Sheeran, i cili ka mbajtur titullin e artistit më të dëgjuar në Britaninë e Madhe që nga viti 2017.
Lista u përpilua nga Phonographic Performance Limited (PPL), e cila mbikëqyr shfaqjet muzikore dhe u jep artistëve honorare. “Unë jam tepër krenare që kam qenë më e dëgjuara në radio, TV dhe në të gjithë Mbretërinë e Bashkuar. Unë me të vërtetë dëshiroja që ‘Future Nostalgia’ të sjellë lumturi gjatë një periudhe kaq të vështirë”, tha Lipa. Ajo gjithashtu falënderoi Phonographic Performance Limited (PPL), e cila përpiloi listën dhe shpërblen financiarisht artistët dhe muzikantët që janë të njohur./FrontOnline/