Hiç më pak se 56 dhurata protokollare ka pranuar presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani gjatë dhjetë muajve të vitit 2022.
Dron “Bayraktar”, vazo, pllaka të ndryshme, libra, punime në dru, janë vetëm disa prej tyre të cilat i ka pranuar presidentja Osmani, shkruan Front Online.
Front Online bazuar në Ligjin për Qasje në Dokumente Publike ka siguruar listat e dhuratave protokollare të cilat i janë dhuruar presidentes Osmani nga janari e deri në tetor të vitit 2022.
Pranimi i dhuratave nga zyrtarët publikë rregullohet me Ligjin për deklarimin, prejardhjen dhe kontrollin e dhuratave.
Sipas këtij ligji, zyrtarët mund të pranojnë dhurata të rastit dhe dhurata protokollare.
Këto të fundit duhet t’i mbesin institucionit.
Më 26 shkurt të vitit 2022 presidentja Osmani gjatë vizitës zyrtare që pati në Turqi vizitoi fabrikën për prodhimin e dronëve “Bayraktar“, ku edhe iu dhurua një dron “Bayraktar”, në miniaturë.
Kurse, më 1 mars të po këtij viti ajo mori dhuratë edhe një aeroplan luftarak në miniaturë, i vendosur në kornizë të drurit nga gjeneral Hulusi Akar.
Më 28 prill 2022 Vjosa Osmani pranoi një dhurat vazo e qeramikës me mbishkrim nga kryetarja e Dhomës së Përfaqësuesve të ShBA-së, Nancy Pelosi.
Ndërsa, gjatë vizitës që pati në Lituani më 7 maj nga presidenti i këtij shteti, Gitanas Nauseda, Osmanit iu dhurua një vazo procelani dekorues.
Një logo të FSK-së me gurë të Trepçës presidentja Osmani e pranoi më 9 qershor nga komandanti i FSK-së, Bashkim Jashari.
Kurse, nga presidentja e Singaporit Halimah Yacob më 27 qershor presidentja Osmani prano dhuratë një libër të vendosur në kornizë, shkruan Front Online.
E, drejtori i gazetës zyrtare në Slloveni, Denis Stroligo më 5 korrik të vitit 2022 i dhuroi Osmanit Kushtetutën e Sllovenisë.
Gjatë vizitës, që Osmani pati në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, u takua edhe me sekretarin e shtetit Antony Blinken.
Nga i njëjti më 27 korrik Osmani pranoi një vazo të qelqit me mbishkrim.
Dhuratë mori edhe nga presidenti i FIFA-s, Giani Infantino.
I njëjti gjatë vizitës që pati në Kosovë, u takua edhe me presidenten Vjosa Osmani.
Ai i dhuroi Osmanit një top futbolli dhe fanellë futbolli me mbishkrim.
Një medalje në kornizë të drurit ia dhuroi më 10 tetor Stuart B.Munsch, komandant i komandës së Forcave të Përbashkëta Aleate në NATO-s, në Napoli.
Osmani, pa dhuratë nuk kishte shpëtuar as nga bija e Madeline Albright, Alice Albright e cila gjatë vizitës në Kosovë më 17 tetor u takua me presidenten dhe ia dhuroi një pjatë të porcelanit me mbishkrim.
Ndërsa, më 24 dhjetor presidenti i Maltës gjatë vizitës që i bëri Kosovës ia dhuroi Osmanit një anije me vela në miniaturë.
Osmani gjatë kësaj kohe, pra periudhës janar-tetor 2022 kishte pranuar edhe dhurata të tjera./Front Online