Eksperti i sigurisë, Drizan Shala, ka komentuar për Front Online kërcënimet e presidentit serb, Aleksandër Vuçiq dhe i ka vlerësuar ato si shantazhe dhe forma të ndryshme të presionit hibrid.
Sipas Shalës, këto kërcënime nuk janë të reja për Kosovën dhe përdoren nga Vuçiqi në momente kur struktura kriminale e Beogradit, si në rastin e grupit të Banjskës, është nën presion për të përballuar proceset gjyqësore.
“Kërcënimet e tilla boshe të bëra nga ana e strukturës të pushtetit të Beogradit dhe Serbisë nuk janë të panjohura për ne, këto kërcënime shantazhe dhe forma të ndryshme të elementeve hibride Vuçiq i përdor në momentet kur struktura e tij kriminale siç është rasti i grupit të Banjskës do të duhej tanimë të përballen me proceset gjyqësore”, u shpreh Shala.
Shala thotë se këto kërcënime mund të kenë ndikim të drejtpërdrejtë tek faktorët ndërkombëtarë.
“Do të ketë edhe një ndikim të drejtpërdrejt tek faktori ndërkombëtar në drejtim të presionit ndaj Beogradit për ti dorëzuar të apostrofuarit para organeve të drejtësisë tek institucionet e Kosovës”, tha Shala.
Shala ka parashikuar se kërcënimet që Vuçiqi do të paraqesë në konferencën e tij të sotme do të jenë më shumë në formë politike, me kërkesa për rikthimin e strukturave paralele në Kosovë.
“Kërcënimet që do ti paraqesë Vuçiq do të jetë më shumë në formë politike, kërkesa që do ti adresohej me drejtim të faktorit ndërkombëtar Brukselit që atje të arrihet zgjedhja e kërkesave siç është, rikthimi i strukturave paralele , rikthimi i zyrtarëve policorë të cilët kanë dhënë dorëheqje nga strukturat përkatëse , aktualizimi i sistemit gjyqësor me gjyqtarë dhe prokurorë nga komuniteti serb”, deklaroi Shala.
Sipas Shalës, Vuçiqi e ka kuptuar se përpjekjet për të nxitur reagime nga strukturat paralele dhe sistemet e tjera të Kosovës kanë qenë fatale dhe se autoriteti i Kosovës është zgjeruar.
Si rezultat, Vuçiqi është në një pozicion të mbrojtur politikisht dhe operacionalisht, vlerëson eksperti i sigurisë, Drizan Shala.
“Vuçiq e ka kuptuar se veprimet e marra në atë periudhë për të nxitur reagimin e mbrojtësve nga këto struktura paralele por edhe nga sisteme tjera të Kosovës ishin fatale sepse e ka kuptuar se shtrirja e autoritetit vendor të Republikës së Kosovës nuk ka pasur mangësi apo mungesë dhe si rezultat Vuçiq është në një defensive totale politike dhe operacionale”, përfundoi Shala për Front Online.