Drita ka fituar me përmbysje ndaj Llapit në njërin prej derbive të xhiros së 14-të të Superligës së futbollit.
Gjilanasit kanë fituar sot me rezultat 3:1 në ndeshjen e fundit të kësaj xhiroje.
Llapjanët kaluan të parët në epërsi në pjesën e parë falë golit të Blend Baftiut.
Por, skuadra e Zekirija Ramadanit riktheu gjithçka në favor të saj në 45 minutëshin e dytë.
Albert Dabiqaj ishte hero i “Intelektualëve” me “hat-trick” të shënuar, për t’ia siguruar ekipit të tij një fitore mjaft të rëndësishme.
Vlen të përmendet se gjilanasve iu anulua goli i barazimit të përkohshëm dhe gjyqtarit Genc Nuza në koordinim me dhomën e VAR-it iu nevojitën 10 minuta për ta marrë vendimin.
Drita e vazhdoi serinë prej katër fitoresh radhazi, plus atë të mbetur ndaj Suharekës.
Kjo fitore ua mundësoi Bardhekaltërve që të shkëputën në krye të tabelës me 5 pikë ndaj Ballkanit, i cili mbrëmë barazoi me Prishtinën në kryeqytet.
Nga ana tjetër, thellohet kriza e Llapit, i cili s’di për fitore qe shtatë ndeshje, ndërsa e sheh veten në pozitën e tetë në tabelë. /Gazeta Express/