Besart Dreshaj nga Lidhja e Bizneseve të Kosovës, për FrontOnline, ka komentuar vendimin e Qeverisë për shpërndarjen e 100 eurove për pensionistët dhe fëmijët, duke e konsideruar si një masë që mund t’i ndihmojë këto grupe gjatë festave të fundvitit dhe lehtëson përballimin e krizës financiare.
‘’ Vendimi i Qeverisë për ndarjen e 100 eurove për pensionistët dhe fëmijët është një masë që mund t’i ndihmojë sadopak këto grupe gjatë festave të fundvitit, duke lehtësuar përballimin e krizës financiare’’ tha Dreshaj.
Sidoqoftë, ai theksoi se shpenzimi i shumës totale prej 57.6 milionë eurosh ka ndikime negative në ekonomi.
‘’Megjithatë, kur shuma totale prej 57.6 milionë eurosh shpenzohet, kjo masë elektoralë stimulon konsumin, por gjithashtu thellon deficitin tregtar’’ potencoi ai.
Dreshaj e cilësoi këtë masë si elektorale, duke shtuar se stimulimi i konsumi do të thellojë deficitin tregtar, do të rrisë importet dhe do të çojë në rritjen e çmimeve dhe inflacionit. Kjo, sipas tij, do të dëmtojë ekonominë dhe do të përkeqësojë fuqinë blerëse të qytetarëve.
‘’Rrit importet dhe çon në rritjen e çmimeve dhe inflacionit, duke dëmtuar kështu ekonominë dhe fuqinë blerëse të qytetarëve’’ tha ai. /FrontOnline/