Kandidati për deputet nga radhët e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Shemsedin Dreshaj, në ‘Analizë Zgjedhiore’ në RTK foli për vendimin e fundit të Gjykatës Supreme, ku iu lejua kandidimi për zgjedhjet që priten të mbahen më 14 shkurt të këtij viti.
Dreshaj tha se më në fund përfundoi një rrugëtim për diçka që nuk e kishte pritur.
“Sikur ta kisha ditë se do të kisha diçka të tillë që pengon në procesin legjislative, fare nuk do të isha pjesë e agjendës së konkurrencës për politikëbërje në Kosovë”, u shpreh Dreshaj duke shtuar se çdo gjë sipas çdo rregulli ligjor është dashtë të përfundojë diku me 30 nëntor të 2017-ës.
Tutje, Dreshaj njoftoi se ai nuk ka qenë i kyçur në politikë më parë.
“Unë nuk jam apolitikë por dhe nuk është që nuk kam qenë më parë i kyçur në politikë, por për mua çdo gjë ka përfunduar në janar të 2006-ës dhe kam vendosur që të jem jashtë rrjedhojave politike. Por, ka rastisë kjo situatë që u dashtë të kyçem dhe mendoj që kam bërë mirë”, deklaroi ai.
Ai tregoi edhe pse dhe si vendosi t’i futet politikës dhe pikërisht në AAK.
“Ju them një send, një parti e numrave të vogël, modeste, me veprime të mëdha, një njeri i guximshëm, i cili më ofroi duart të lira pa kurrfarë pengese që të bëjë atë që unë di dhe që mundem në sektorin e arsimit dhe të shëndetësisë”, theksoi më tej Dreshaj.