Kryetari i AAK-së dhe kandidati për President, Ramush Haradinaj, në tubimin e sotshëm në Drenas ka rikujtuar synimet e tij si President i ardhshëm.
Ai ka theksuar se Kosova e ka rrugën e qartë euroatlantike dhe se do të anëtarësohet në NATO, qoftë si shtet i pavarur, qoftë në union me Shqipërinë.
“Nëse jam unë President i vendit, ju e dini se si do të jetë përballja me Serbinë. Do të anëtarësohemi në NATO. Ose si të pavarur, ose në union me Shqipërinë, ne do të anëtarësohemi në NATO”, ka thënë Haradinaj.
Haradinaj ka rikujtuar se me të President, ata që kanë sakrifikuar për vendin nuk do të mbesin jetimë.
“Njerëzit që kanë bërë sakrificë për këtë, familjarët e dëshmorëve, martirëve, bashkëluftëtarë, veteranët, invalidët nuk janë jetim nëse Presidenti është Ramush Haradinaj”, deklaroi ai.
“Heronjtë që i nderuam sot në shesh e kanë ditur kush jam, por edhe të gjallët e dinë kush jam, edhe armiqtë e dinë kush jam”, theksoi mes tjerash Haradinaj.