Drejtuesit e Komitetit Olimpik të Kosovës, presidenti Ismet Krasniqi, sekretari i përgjithshëm, Shasivar Haxhijaj dhe këshilltari i presidentit, Besim Aliti, janë takuar me ministrin për Kulturë, Rini e Sport, Hajrullah Çeku dhe zëvendësministren për Sport, Daulina Osmani.
KOK ka kërkuar nga Ministria që të bëhet sa më parë nënshkrimi i Memorandumit të Bashkëpunimit me federatat sportive dhe KOK-un, pasi federatat ndodhen në krizë financiare shkaku i mungesës së buxhetit për pjesëmarrje në garat ndërkombëtare, e po ashtu edhe në garat që vlejnë për pikë olimpike Tokio 2020, përcjell FrontOnline.
Ministri Çeku premtoi se kjo çështje do të kryhet sa më parë, në mënyrë që KOK-u dhe federatat sportive të fillojnë të marrin buxhetin që iu takon sipas kategorizimit të sportit, sportistëve dhe trajnerëve.
Rilicencimi i federatave sportive, ishte një tjetër çështje që është diskutuar mes palëve, sikurse edhe fillimi i procedurave të themelimit të Agjencionit të Anti-Dopingut nga Qeveria e Kosovës.
Palët u pajtuan që të bëhet një agjendë e përbashkët për takime të rregullta, në mënyrë që bashkarisht të diskutojnë për problemet dhe sfidat që i ka sporti ynë./FrontOnline/