×
  • Sport
  • Sport

    Drejtuesit e FFK-së donin që loja të vazhdonte, por futbollistët refuzuan, thotë kryetari i Federatës rumune

    FrontOnline
    19 Nëntor 2024

    Presidenti i Federatës Rumune të Futbollit, Răzvan Burleanu e ka dhënë një deklaratë befasuese para lojës me Qipron mbrëmë.

    40 vjeçari insiston se ishin lojtarët e Kombëtares së Kosovës ata që refuzuan të dilnin në fushë për ta vazhduar lojën e ndërprerë me Rumaninë, edhe pse drejtuesit e Federatës së Futbollit të Kosovës donin që loja të vazhdojë dhe të ketë përfundim të rregullt, sepse, sipas tij, krerët e FFK-së ishin të vetëdijshëm me pasojat që mund t’i kenë nga UEFA.

    Të njëjtën gjë në emisionin Favorit mbrëmë e tha edhe analisti i emisionit, Taulant Dajaku.

    “Ne besojmë vërtet se ky ishte një plan i lojtarëve. Ne nga dialogu me ta ndiejmë se përfaqësuesit e Federatës donin që loja të vazhdonte sepse ata i dinin mjaft mirë rreziqet. Rreziku nuk është vetëm humbja e lojës, 3:0. Në futboll, duke e lënë fushën konsiderohet si një element që duhet ndëshkuar shumë ashpër. Një perspektivë të tillë e presim nga UEFA për këtë rast”, deklaroi fillimisht kreu i futbollit rumun për portalin “gsp.ro”.

    “Në fillim të lojës, objektiv i tyre ishte një, ta fitonin ndeshjen dhe ta rifitonin epërsinë pas fitores sonë 3:0 në Prishtinë. Në pjesën e dytë, duke e parë që kjo nuk është e mundur, mendoj se u aktivizua ky skenar, ai i të bërit gjithçka për ta ndërprerë lojën. Përfshirja e incidentit në minutën e 93-të e konfirmon këtë këndvështrim dhe gjithashtu provokimin e tifozëve tanë.”

    Ai beson se Kosova do ta pësojë keq tërheqjen e ekipit nga fusha e blertë dhe nuk e diskuton fare fitoren në tavolinë të rumunëve.

    “Sot e kemi datën e fundit për ta dërguar versionin tonë të mbrojtjes, kosovarët po ashtu. Ne presim që ta marrim vendimin në ditët në vazhdim. Ne kemi besim të madh se do të jemi dëshmitarë të vetëm një vendimi dhe nuk mund të ekzistojë tjetër pos fitores së Rumanisë. Dialogu i tërë që u zhvillua mes meje dhe drejtuesve të Federatës kosovare ishte që loja duhej të mbyllej në fushën e blertë pa marrë parasysh rezultatit”, vazhdoi ai.

    “Situata është mjaft e thjeshtë për t’u interpretuar. Mbi të gjitha, ajo çfarë diskutuam në ditën e organizimit të lojës ishte se thirrjet si: ‘Kosova është Serbi’ nuk ishin thirrje që do t’i thyenin rregullat e racizmit. Është thjeshtë një thirrje politike. Tifozët tanë, në këtë rast, e kënduan atë në minutat 9-293. Mendoj se ishim një model real se si do të duhej të na prisnin kosovarët në Prishtinë”, përfundoi kreu i Federatës Rumune të Futbollit.

    Mbrëmë në emisionin “Favorit” në “T7” analisti Taulant Dajaku tha se FFK-ja u kishte kërkuar në zhveshtore lojtarëve të Kosovës të dilnin në fushë, madje me tone të larta sipas Dajakut, por kapiteni Amir Rrahmani me shokë kanë refuzuar kategorikisht të dalin.

    Pas ndeshjes, Federata e Futbollit të Kosovës e kishte lëshuar një deklaratë, ku ndër të tjera thuhej:

    “FFK kishte paralajmëruar më shumë se dy herë me shkrim organet përkatëse të UEFA-s për mundësinë e veprimeve të tilla, një herë disa ditë para ndeshjes dhe më pas disa minuta përpara fillimit të saj. Përkundër këtyre paralajmërimeve, tifozët rumunë vazhduan me sjellje të papërgjegjshme dhe diskriminuese, duke detyruar Kombëtaren e Kosovës të lërë fushën për shkak të mungesës së sigurisë dhe dinjitetit.”

    “Ndeshja, që deri në momentin e ndërprerjes kishte një performancë të shkëlqyer nga Kombëtarja e Kosovës dhe një rezultat 0:0, u përshkallëzua edhe më tej për shkak të refuzimit të tifozëve për të ndalur thirrjet e tyre raciste dhe provokuese. Pavarësisht përpjekjeve të trajnerit tonë, z. Foda, për të arritur që ndeshja të luhet dhe të eliminohen veprimet e tilla nga tifozët rumunë, prapëseprapë edhe gjatë ndërprerjes sjelljet raciste vazhduan. Në një situatë të tillë lojtarët zgjodhën me të drejtë të respektojnë rregulloret kundër racizmit të UEFA-s dhe të mbrojnë dinjitetin e shtetit të Kosovës, si një anëtar i barabartë i UEFA-s dhe FIFA-s.”

    “FFK riafirmon angazhimin e saj për të mbrojtur dinjitetin e Kombëtares së Kosovës dhe vlerat e futbollit, por edhe parimet e UEFA-s e FIFA-s për futboll pa politikë dhe respektim të ‘fair-play’-it, si një lojë që duhet të bashkojë dhe jo të ndajë. Racizmi dhe diskriminimi nuk kanë vend në sport dhe as në shoqërinë tonë.” /Gazeta Express/

    Nga Rubrika
    Sport19 Nëntor 2024
    FIFA dhe UEFA kanë vendosur ditën e djeshme që të mbajnë në fuqi pezullimin e Rusisë nga të gjitha aktivitetet e organizuara...
    Sport19 Nëntor 2024
    Kosova U-19 i ka mposhtur edhe Ishujt Faroe U-19. Pas fitores së madhe ndaj Spanjës U-19, Dardanët e rinj e regjistruan një...
    Sport19 Nëntor 2024
    Trajneri i Rumanisë, Mircea Lucescu po vazhdon t’i ofendojë kosovarët. Legjenda rumune është mllefosur nga vendimi i Kombëtares së Kosovës për të...
    Të tjera
    Front TV19 Nëntor 2024
    Deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje, njëherësh kryetarja e Komisionit për Bujqësi Fitore Pacolli, dyshohet se është e përfshirë edhe në një skandal tjetër...
    Lajme19 Nëntor 2024
    Presidentja e vendit, Vjosa Osmani, ka thënë se çështja e verifikimit të statusit të viktimës së dhunës seksuale nga lufta e fundit...
    Bota/Rajoni19 Nëntor 2024
    Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte ka vendosur të emërojë Radmila Shekerinskën nga Maqedonia e Veriut si zëvendëssekretare të përgjithshme të...
    Lajme19 Nëntor 2024
    Policia në gjen granata, armatim, municion dhe uniformë ushtarake Sot është kryer një kontroll në rrugën Kralj Petri në Zveçan nga njësitet...
    Bota/Rajoni19 Nëntor 2024
    Ministri i Shëndetësisë në Maqedoni të Veriut, dhe njëri nga liderët e VLEN-it, Arben Taravari ka ndarë lajmin e shumëpritur për punonjësit...
    Lajme19 Nëntor 2024
    Shërbimi Korrektues i Kosovës ka njoftuar se është parandaluar futja e kontrabandës në Qendrën Korrektuese të Dubravës. Sipas njoftimit thuhet se në...

    FrontOnline, © 2024 Të gjitha të drejtat e rezervuara.