Drejtoria e Parqeve në Komunën e Prishtinës njofton se raportimet e sotme për prerje ilegale të drunjve në Peizazhin e Mbrojtur të Gërmisë janë të pavërteta dhe se shqetësimi i ngritur nga qytetarët është i panevojshëm.
“Njoftojmë të gjithë vizitorët e Gërmisë dhe mediet se drunjët janë prerë nga punëtorët e N.P.L “Hortikultura” Sh.A në kuadër të procesit të pastrimit fitosanitar në këtë park, i cili ka filluar më 12 tetor”, thuhet në njoftim.
Sipas drejtorisë së Parqeve, procesi i pastrimit fitosanitar është duke u realizuar për të tretin vit radhazi, me qëllim të mirëmbajtjes së Gërmisë dhe ofrimit të hapësirave të sigurta për vizitorët e tij. Ky proces përfshinë largimin e të gjithë durnjëve të tharë, e që paraqesin rrezik për vizitorët e parkut.
“Në kuadër të Drejtorisë së Parqeve mirëmbahet dhe mbikëqyret Peizazhi i Mbrojtur i Gërmisë dhe çdo hapësirë tjetër e gjelbër në territorin e Prishtinës, duke mos lejuar dëmtimin e tyre”, thuhet mes tjerash aty.