Padyshim që formimi i Superligës evropiane ka shkaktuar një “tërmet” në botën e futbollit, raporton FrontOnline.
Kjo ka ndikuar edhe te kroatët, të cilët janë frymëzuar të krijojnë ligë të re me skuadrat nga Ballkani.
Bëhet fjalë për Superligën ballkanike në futboll, e cila sipas tyre, do të përbëhej nga dy divizione me nga 16 skuadra.
Ndeshjet parashihen të zhvillohen me sistem vajtje-ardhje, dhe katër skuadrat e fundit të divizionit të parë bien poshtë, ndërsa katër skuadrat e para të divizionit të dytë ngjiten lartë.
Superliga ballkanike ide e pëlqyer, klubet e Kosovës do të përfitonin nga promovimi i talentëve
Sipas kësaj ideje nga kroatët, në këtë kampionat do të merrnin pjesë skuadrat nga Kroacia, Rumania, Greqia, Serbia, Bullgaria, Turqia, Bosnja e Hercegovina, Sllovenia, Maqedonia e Veriut, Shqipëria, Mali i Zi dhe Kosova.
Në propozimin e kroatëve për Superligën ballkanike, është parë vetëm një klub nga Kosova dhe ai është klubi më i madh në vend, Prishtina.
Drejtori sportiv i këtij klubi, Fisnik Kërçeli deklaroi se i pëlqen kjo ide, por që ai thotë se në rast se realizohet, duhet të jetë sipas rregullores së UEFA-së.
“Nëse ndodhë kjo, është e mirë edhe për futbollin e Kosovës pasi do të promovoheshim. Por, ky kampionat duhet të jetë në përputhje me rregulloren e UEFA-së. Si ide më pëlqen, talentet tanë do të promovoheshin jashtë”, tha për FrontOnline Fisnik Kërçeli./FrontOnline/