Vezir Januzi, drejtor i Bujqësisë Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural në Komunën e Podujevës, e ka akuzuar kryetarin e Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, për organizime tubimesh partiake në periudhë pandemie.
Januzi ka vënë në pah rritjen e numrit të rasteve në Podujevë, teksa ka thënë se veprime të këtilla rrezikojnë jetën e qytetarëve të Llapit, shkruan Gazeta Express.
“Në kohë pandemie, kur numri i rasteve të infektuarve me Covid-19 në Komunën e Podujevës po rritet çdo ditë në shifra alarmuese, kur institucionet përgjegjëse të shëndetësisë kanë marrë vendime për t’i ndaluar takimet me më shumë se pesë persona, mjeranët po rrezikojnë shëndetin e qytetarëve, madje edhe të fëmijëve, duke organizuar tubime në të cilat nuk respektohet asnje masë mbrojtëse”, ka shkruar drejtori komunal.
“Nuk e meritojnë besimin ata që nuk e kursejnë as shëndetin e qytetarëve vetëm për ta tentuar pushtetin”, ka shtuar tutje ai.
Kurti besohet të ketë shkuar për fushatë zgjedhore në Podujevë, ku nga partia e tij do kandidojë për kryetar komune Shpejtim Bulliqi.
Megjithatë, kundër tubimeve zgjedhore është shprehur Ministri i Shëndetësisë së vendit, Armend Zemaj.
“Zgjedhjet e jashtëzakonshme në Podujevë dhe Mitrovicë të Veriut të 29 nëntorit, për shkak të gjendjes së shkaktuar nga pandemia COVID-19, duhet të zhvillohen ndryshe nga herët e tjera, duke respektuar vendimet dhe ligjin në fuqi. Sipas gjendjes aktuale, konsiderojmë të ndalohen të gjitha tubimet publike për fushatën zgjedhore gjatë zgjedhjeve lokale dhe të zbatohen masat parandaluese sipas IKSHPK dhe MSH”, deklaroi Zemaj.
Ish-presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ka caktuar datën 29 nëntor për mbajtjen e zgjedhjeve në Komunën e Podujevës dhe Mitrovicës së Veriut.