Ngritja e çmimit të derivateve të naftës po vazhdon nga dita në ditë në Kosovë.
Vetëm gjatë ditës së djeshme një litër naftë në Kosovë ka arritur një rekord të ri në 1.90cent, shkruan Front Online.
E, duke vërejtur që çmimet pothuajse çdo ditë po ndryshojnë Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë gjatë ditës së djeshme ka njoftuar se është duke punuar për vendimin e ri për rregullimin e çmimeve të naftës që do të “mbrojë konsumatorët dhe konkurrencën sipas ligjit”.
Ndërsa, sot në media është publikuar një dokument në të cilin shihet se Qeveria e Kosovës pritet të ndërhyjë në rregullimin e çmimit të derivateve, pas luhatjeve të shpeshta kohëve të fundit.
Sipas vendimit 2 cent do të jetë fitimi për një litër naftë për shitësit me shumicë, ndërsa 8 centë për njësi të produktit të shitur me pakicë nga importuesi ose subjekti i ndërlidhur
Ndërsa 10 centë për litër do të jetë fitimi për shitje me pakicë për subjektet që nuk janë importuese.
Kjo do ta ulte çmimin aktual të derivateve për 12 centë.
Por, a janë duke u monitoruar pikat e derivateve në vend nga Autoriteti Kosovar i Konkurrencës(AKK)?
Drejtori i AKK-së, Sakip Imeri në një përgjigje për Front Online thotë se një gjë e tillë është duke ndodhur në vazhdimësi.
“Ne këtë treg e kemi në monitorim, dhe jo vetëm këtë, janë diku katër apo pesë tregje edhe ngritjen e çmimeve po e përcjellim me shqetësim, por është rezultat i ngritjes së përgjithshme të çmimeve në Berzë që është pasi që Kosova ka varësi të madhe prej importit. Kompanitë tona nuk kanë asnjëra kontrata të drejtpërdrejta me prodhues të naftës për shkak të nivelit të lartë që e kanë të kontratave kompanitë e prodhimit të naftës dhe kompanitë tona janë në zinxhirin e dytë ose të tretë të furnizimit dhe mundësitë e kontraktimit të çmimeve të ulëta janë sigurisht më të kufizuara për shkak të sasive”, është shprehur Imeri për Front Online.
Veçse, ka deklaruar se nuk mund të ndërmarrin asnjë veprim.
Krejt, kjo për shkak të mosfunksionimit të bordit të AKK-së.
“Nuk kemi mundësi ne me dhënë dënime pasi që është përgjegjësi e Komisionit. Ne mundemi me konstatua gjendjen me ia propozua Komisionit dhe vendimmarrja është e tij jo e sekretariatit. Nuk mundet me pas dënime, nuk mundet me pas as inicim të hetimeve sepse duhet me marr vendim, e vendimin e ka bordi. Ne i monitorojmë grumbullojmë informatat dhe kaq është fuqia aktuale e Autoritetit tani për tani”, ka thënë drejtori i AKK-së, Imeri.
I pyetur se me cilat probleme po ballafaqohen si shkak i mosfunksionimit të bordit, Imeri ka thënë se janë dy gjëra ku nuk kanë fuqi vendimmarrëse.
“Ne si shkak i kësaj nuk kemi fuqi në dy procese. Nuk kemi fuqi me i mbyll hetimet ekzistuese që janë dhe nuk kemi fuqi me marrë vendime qoftë për kërkesa për miratim, për hapje të rasteve të reja të hetimeve dhe këto janë pengesat që po na krijohen në mungesë të komisionit”, është shprehur ndër të tjera Imeri.
Ai ka treguar se në vitin 2020, Autoriteti Kosovar i Konkurrencës ka gjobitur me mbi 4 milionë euro 14 kompani të derivateve të naftës për çrregullim të konkurrencës në treg gjatë muajve nëntor dhe dhjetor të vitit 2018.
Ndërsa, sot Shoqata e Naftëtarëve në një mbledhje të jashtëzakonshme kanë kundërshtuar draft-vendimin e Qeverisë së Kosovës për vendosjen e një marzhe të re fitimi për kompanitë e naftës, derisa kanë paralajmëruar se në qoftë se vendimi bëhet i plotëfuqishëm, naftëtarët mund t’i mbyllin të gjitha pikat e tyre.
Në një letër drejtuar Qeverisë së Kosovës pas mbledhjes së sotme të përfaqësuesve të kompanive të naftës, Shoqata e Naftëtarëve ka thënë se është kundër vendimeve arbitrare të qeverisë në tregun e naftës.
Naftëtarët kanë thënë se e përkrahin uljen e akcizës dhe TVSH-së në produktet e naftës, dy masa të cilat janë vendosur po ashtu në vendet e rajonit.
Ndërsa, pikërisht sot bëhet një vit që kur Autoriteti Kosovar i Konkurrencës është pa bord./Front Online