Varianti i ri i Coronavirusit është përhapur në shumë vende të botës.
E në Kosovë nuk dihet nëse ka ose jo ndonjë qytetarë të infektuar me të.
Kjo, meqë rezultatet e mostrave të dërguara në Gjermani s`kanë arritur akoma.
“Ne deri në këtë moment nuk kemi diçka të konfirmuar. Mostrat janë dërguar dhe presim rezultatet. Por, deri në këtë moment nuk kemi të konfirmuar diçka të tillë”, u shpreh për Front Online Lindita Ajazi Berisha, drejtoresh në Infektivë.
Veçse ka diçka që dihet.
Rastet e të hospitalizuarave me COVID, sipas drejtoreshës së Infektivës, Lindita Ajazi-Berisha, janë rritur rishtazi.
“Në Klinikë kemi 102 pacientë të hospitalizuar, 63 në oksigjeno-terapi, 3 në respiratorë në gjendje të rëndë shëndetësore. Numri i pacientëve gjatë këtyre dy ditëve të fundit kemi rritje të numrit të pacientëve të hospitalizuar”, tregoi ajo.
Shkak për këtë, sipas saj, mund të jenë të gjitha tubimet përfshirë ato elektorale të partive ku s`respektohen masat anti-pandemike.
“Gjithmonë do të kemi parasysh se në të gjitha ato raste kur nuk respektohen masat mbrojtëse, ku qytetarët nuk mbajnë maskën e distancën, normal që mund të ketë edhe rritje të numrit të rasteve”, deklaroi Ajazi-Berisha për Front Online.
Ndryshe, autoritetet kosovare kanë siguruar mbi 1 milionë vaksina anti-Covid, por që të njëjtat akoma nuk kanë ardhur.
Për këtë, Ministri i Shëndetësisë Armend Zemaj e Qeveria në detyrë Hoti kanë marrë kritika nga partitë në opozitë.