Kryetari i Komisionit Parlamentar për Kosovën në Serbi dhe propaganduesi serb i regjimit të Millosheviqit, Milovan Drecun, ka konfirmuar edhe një herë se autoritetet serbe kanë furnizuar Gjykatën Speciale me materiale kundër Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe krerëve të saj.
Në një intervistë për televizionin serb, Tv Happy, dy ditë më parë, Drecun madje ka pohuar se në aktakuzën kundër krerëve të UÇK-së, Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit ndodhën gati krejt të dhënat që Serbia ia ka dërguar Prokurorisë Speciale.
“Në bazë të asaj që po ndodh, në bazë të lokacioneve, në bazë të asaj që po e shoh se është prioritet në këtë Aktakuzë – burgimet ilegale, arrestimet, keqtrajtimet, vrasjet që kanë ndodhur – e shoh që ka shumë nga ato që ne ua kemi dhënë, përfshirë burgjet ilegale, nga 159 lokacione, prej të cilave 6 në Shqipëri, të cilat ne ua kemi dhënë, ata tashmë i kanë marrë 15 në territorin e Kosovës dhe 2 në Shqipëri, por kjo s’do të thotë se kjo punë është kryer. Kam parë edhe shumë gjëra të tjera që kanë ndodhur. Unë e kam listën e asaj që ne ua kemi dhënë atyre (Gjykatës Speciale) dhe po e shoh që gati krejt prej të dhënave ndodhen në Aktakuzë, e kam fjalën për ngjarjet dhe lokacionet që janë marrë. Natyrisht, edhe shumëçka u kemi dhënë. Një gjë që është më e rëndësishme e shoh përgjegjësinë komanduese, sepse ne ua kemi dhënë komplet strukturën e UÇK-së”, ka thënë Drecun.
Krerët e UÇK-së, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi kanë përfunduar seancën dëgjimore para Gjykatës së Hagës dhe që të gjithë janë deklaruar të pafajshëm në të gjitha pikat e aktakuzës.
Drecun kishte treguar edhe javë me parë se kishin furnizuar me materiale Prokurorinë Speciale dhe për këtë pohonte se ka marrë një mirënjohje me dorëshkrim nga ish Kryeprokurori i Speciales, David Schwendinman.
Edhe në disa dosje të Speciales që muaj më parë u dërguan në zyrat e Organizatës së Veteranëve të UÇK-së nga persona të paidentifikuar, që thuhej se kishin rrjedhur nga Haga, ishte thënë se faktohej komunikimi i Prokurorisë Speciale me autoritetet e Serbisë.