Përmes një njoftimi në faqen zyrtare të Dhomave të Specializuara të Kosovës në Hagë është bërë e ditur se gjykatësi paraprak Nicolas Guillou ka urdhëruar që varësisht nga zgjidhja e çështjeve të papërfunduara kalimi i dosjes së çështjes së Salih Mustafës te trupi gjykues parashikohet të bëhet më 7 maj ose rreth kësaj date.
Në këtë njoftim thuhet se më 5 mars gjatë konferencës mbi ecurinë e çështjes, gjykatësi me vendim gojor ka ftuar mbrojtjen që deri me 30 prill të dorëzojë dosjen e saj paraprake.
Ish-pjesëtari i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK) është i arrestuari i parë nga Specialja.
Ndryshe, më 12 qershor 2020 është konfirmuar aktakuza ndaj tij, kurse arrestimi i tij u bë me 24 shtator, ku po të njëjtën ditë, ai është transferuar në objektin e paraburgimit në Hagë. Më 24 shtator ishin bërë publike edhe aktakuza ndaj Mustafës.
I njëjti ishte deklaruar i pafajshëm për akuzat që i vihen në barrë nga ZPS-ja.
“Aktakuza e konfirmuar përcakton se afërsisht midis 1 prillit 1999 dhe 19 prillit 1999, në një kompleks ndalimi në Zllash, Kosovë, u kryen krimet e ndalimit arbitrar, trajtimit mizor dhe të torturës kundër të paktën gjashtë personave. Gjithashtu, në aktakuzë thuhet se në një datë midis 19 prillit 1999, ose rreth kësaj date, dhe rreth fundit të prillit 1999, në atë vendndodhje u vra një i ndaluar”, ka njoftuar Gjykata Speciale përmes një komunikate, raporton “Betimi për Drejtësi”.