Pas dorëheqjes së kryeministrit të Kanadasë, dy gra janë në pozicionin e parë për të zënë vendin e tij: Joly, Ministre e Jashtme dhe Freeland, ish-ministre e Financave.
Drita e Justin Trudeau duket se ka perënduar.
Ish-ikona liberale, që pasi udhëhoqi Kanadanë për gati një dekadë me ngritje dhe rënie, ka përjetuar hidhërimin e mosmbështetjes dhe është detyruar të dorëhiqet – ndërkohë që fqinji i padëshiruar, Donald Trump, po e tall me nënçmim, duke e quajtur “guvernator” dhe duke shpresuar që Kanadaja të bëhet shteti i 51-të i SHBA-ve.
Pas përpjekjeve për një riorganizim të madh të Qeverisë dhe duke theksuar se ishte i gatshëm për sfida të reja, kryeministri ka qenë i detyruar të jepte dorëheqjen më 6 janar.
Më pak se një vit para zgjedhjeve parlamentare që do të zhvillohen në tetor të vitit 2025, Kanadaja do të votojë për një parlament të ri, përveç nëse nuk shkohet në zgjedhje të parakohshme, kërkesë që është bërë nga disa grupe.
Siç shkruante New York Times, që i dedikoi një artikull të gjatë kryeministrit të larguar, një “epitaf” për të, Trudeau nuk kishte asnjë mundësi të favorshme.
Mund të përballej me zgjedhje të parakohshme që shumë mundësisht do t’i humbiste me turp, ose mund të dorëhiqej nga posti i liderit të partisë dhe kryeministrit, duke lejuar që një lider tjetër të udhëhiqte liberalët në zgjedhje.
Për muaj të tërë, kryeministri ka luftuar për të mbajtur pushtetin.
Në shtator, ai drejtoi një qeveri të pakicës, pas humbjes së mbështetjes në krahun e majtë.
Në tetor, ai arriti të shmangte një revoltë brenda Partisë Liberale, e cila kishte rënë në 23 % në sondazhe përballë 42 % të Partisë Konservatore në opozitë.
Trudeau kishte refuzuar kërkesën për dorëheqje të ardhur nga rreth tridhjetë deputetë dhe kishte siguruar se do ta përfundonte mandatin e tij. Deri tani.
Garën për pasardhësin e tij e kishin nisur tashmë dy gra që ishin në pozita të forta: Ministrja e Jashtme Mélanie Joly dhe ish-ministrja e Financave dhe zv/kryeministrja Chrystia Freeland, e cila dha dorëheqjen më 16 dhjetor, duke e sulmuar ashpër Trudeau-n në një letër që denonconte “shpenzimet e shtrenjta politike” të qeverisë.
Pas një karriere të luhatur, Joly kishte arritur të dilte në qendër të skenës politike për shkak të ndarjeve diplomatike të fundit me Kinën dhe Indinë.
Deri disa javë më parë, ajo ishte treguar e kujdesshme për të mos u përfshirë në luftën brenda partisë, e cila shpërtheu këtë verë pas humbjes së turpshme në zgjedhjet e pjesshme në dy qarqe që ishin konsideruar të sigurta për liberalët, të cilët humbën për herë të parë që nga 2015-a, përfshirë edhe Toronto.
Ministrja e Jashtme tani duhet të përballet me menaxhimin e marrëdhënieve të ndërlikuara me presidentin e sapo-zgjedhur të SHBA,-ve Donald Trump, i cili tashmë ka shkaktuar një kaos të madh në Ottawa.
Zv/kryeministrja dhe Ministrja e Financave, Freeland, kishte dhënë dorëheqjen më 16 dhjetor, duke e akuzuar Trudeau-n për “mosmarrëveshje për rrugën e duhur që duhet të ndjekë Kanadaja”, sidomos për “sfidën e madhe” të politikës së “nacionalizmit ekonomik agresiv” të Trump.
Në fund të nëntorit, Trudeau kishte udhëtuar për një vizitë në Mar-a-Lago, pronën e Trump, duke u bërë lideri i parë i një shteti të industrializuar të G7 që e takoi presidentin pas fitores së tij.
Kjo për të kërkuar që ai të mos realizonte kërcënimin për një tarifë prej 25 % për produktet kanadeze dhe meksikane, duke pezulluar marrëveshjen e tregtisë së lirë të Amerikës Veriore, nëse dy kombet fqinje nuk ndalonin migrimin dhe trafikun e drogës përmes kufirit.
Për Kanadanë, që po kalon një krizë për shkak të papunësisë dhe shtrenjtimit të jetesës, kjo do të ishte një goditje e rëndë ekonomike, pasi 75 % e eksporteve të saj shkojnë në SHBA.
Ekonomia kanadeze vijon të shfaqë shenja dobësie: ajo u rrit me 2.1 % në tremujorin e dytë të vitit 2024, por PBB-ja për frymë ka rënë për tremujorin e pestë radhazi.
Përpara zgjedhjeve të SHBA-ve, Kanadaja kishte tentuar të rreshtohej me Washingtonin në luftën tregtare me Kinën, duke njoftuar tarifa prej 100 % për automjetet elektrike kineze dhe 25 % për çelik dhe alumini.
Kjo nuk ishte mjaftueshëm.
Trudeau u përball me presione edhe nga kryeministrat e provincave kanadeze, të shqetësuar për hyrjen në fuqi të tarifave tregtare.
Marrë nga “Corriere della Sera”, përshtatur për Albanian Post