Pas një ecurie të dobët të rezultateve, Drenica e ka gjetur rrugën e fitoreve.
Klubi nga Skënderaj e kishte shkarkuar javë më parë Bledar Devollin nga posti i trajnerit, pas zhgënjimeve të njëpasnjëshme, raporton FrontOnline.
Me ardhjen e Sami Sërmaxhajt në këtë pozitë, duket se Drenica është rikthyer në “binarë”.
Drenica mposhti Trepçën ’89 me rezultat 2:0 të shtunën në kuadër të javës së 27-të në Superligën e Kosovës për t’u larguar nga “zona e kuqe” në tabelë.
Donald Rapo, njëri prej prurjeve të shumta të Devollit te Drenica në afatin kalimtar dimëror, në një bisedë me FrontOnline është rrëfyer për aventurën te Drenica.
Me fitoren e djeshme në “Bajram Aliu”, 30-vjeçari thotë se te Drenica po mbretëron një atmosferë shumë e mirë.
“Drenica ka një atmosferë shumë të mirë. Të gjithë jemi si familje këtu, edhe ne lojtarët që kemi ardhur nga Shqipëria na kanë pritur shumë mirë dhe jemi të bashkuar. Trajneri i ri po bëm punë të mirë deri më tani dhe ka besim te të gjithë lojtarët”, ka thënë Donald Rapo duke vazhduar:
“Kjo fitore (ndaj Trepçës ’89) vlen shumë për moral. Drenica ka një skuadër shumë të mirë dhe nuk e meriton të jetë në këtë pozitë që është në tabelë. Meritojmë më shumë se kaq”.
I pyetur nëse mendon se Drenica do t’ia dalë të mbijetojë këtë vit në Superligë, Rapo tha:
“Besimi është i plotë. Nuk e diskutoj mbijetesën, rival kryesor e kemi veten tonë. Duhet të besojmë më shumë te vlerat tona që kemi si skuadër”.
Për fund, Rapo shpreson që të mbetet pjesë e Drenicës edhe pas përfundimit të këtij edicioni.
“Derisa të mbaroj edicioni kam kontratë. Do të ulemi të flasim me drejtuesit për vitin tjetër. Dëshira ime është të qëndroj te Drenica”, përfundoi të dielën për FrontOnline ish-mbrojtësi i Laçit, Donald Rapo./FrontOnline/