×
  • Bota/Rajoni
  • Bota/Rajoni

    Dodik: Vuçiqi më njoftoi se INTERPOL-i s’ka pranuar të lëshojë fletarrestime ndaj meje dhe Stevandiqit

    FrontOnline
    02 Prill 2025

    (Radio Evropa e Lirë) – Millorad Dodik, presidenti i entitetit serb të Bosnjës e Hercegovinës, ka thënë të mërkurën se është njoftuar se INTERPOL-i nuk e ka pranuar kërkesën e gjykatës së Bosnjës për të lëshuar fletarrestime ndërkombëtare kundër tij dhe Nenad Stevandiqit, kryetarit të Kuvendit Popullor të Republikës Sërpska.

    Dodiku shkroi në X se u njoftua nga presidenti i Serbisë, Alleksandar Vuçiq, të cilin tha se e falënderon bashkë me kryeministrin e Hungarisë, Viktor Orban.

    “Presidenti Alleksandar Vuçiq sapo më telefonoi për të më thënë se mori një njoftim nga Drejtoria e Interpolit se ankesa e Serbisë ishte pranuar dhe se Interpoli ka refuzuar kërkesën e Gjykatës së Bosnjës për të lëshuar njoftim të kuq për Stevandiqin dhe mua”, shkroi Dodiku në X, raporton REL.

    Gjykata e Bosnje e Hercegovinës kërkoi më 27 mars fletarrestime ndërkombëtare, përmes INTEPOL-it, për dy liderët e Republikës Sërpska.

    Kërkesa për fletarrestime ndërkombëtare u bë pasi ata nuk i ishin përgjigjur thirrjes nga Prokuroria e Përgjithshme e Bosnjës nën dyshimin se kanë shkelur rendin kushtetues të Bosnje e Hercegovinës.

    Dodiku, president i Republikës Sërpska, e bëri këtë njoftim në ditën kur u takua me presidentin e Rusisë, Vladimir Putin, në Moskë.

    Më vonë, Dodiku tha se është kthyer në Bosnjë dhe se ndodhej në Banjallukë.

    Dodiku, i cili përballet me fletarrestim kombëtar, ishte larguar nga Bosnja më 24 mars në rrethana të paqarta për në Serbi, nga ku e kishte vizituar Izraelin dhe pastaj Moskën.

    Të martën, ministri në detyrë i Punëve të Brendshme i Serbisë, Ivica Daçiq, tha se angazhimi i shtetit të tij ka parandaluar zbatimin e fletarrestimeve për Dodikun dhe Stevandiqin.

    Serbia kishte dërguar notë proteste në INTERPOL në lidhje me fletarrestimeve për Dodikun dhe Stevandiqin, duke thënë se ato shkelin një nen të statutit që përcakton se çdo veprim nëse ka një sfond politik, ushtarak, fetar ose racor është rreptësishtë i ndaluar.

    Daçiqi kishte thënë më herët se Dodiku dhe Stevandiqi janë shtetas të Serbisë dhe se fletarrestimeve ndërkombëtare që Bosnja po iu referohej nuk përbënin bazë për veprim, pasi nuk kanë kaluar nëpër procesin e verifikimit për të parë nëse janë përmbushur kushtet.

    Gjykata e Bosnjës kërkoi fletarrestime ndërkombëtare dy zyrtarët e lartë të Republikës Sërpska u larguan nga Bosnja, duke shmangur procedurat e përcaktuara me ligj të kontrollit kufitar, në kohën kur ndaj tyre ishte lëshuar një fletarrestim kombëtar.

    Republika Sërpska e kaloi në mars një draft të kushtetutës së re, e cila do ta përcaktonte këtë entitet si një shtet të popullit serb, do t’i jepte të drejtën për vetëvendosje dhe do ta themelonte ushtrinë e saj.

    Të gjithë këto bien drejtpërdrejt në kundërshtim me Kushtetutën e Bosnjës dhe me Marrëveshjen e Dejtonit për Paqe, e cila e përcaktoi Republikën Sërpska si njërin nga dy entitetet e Bosnjës.

    Gjatë mandatit të tij si president i Republikës Sërpska, Millorad Dodik është përballur me kritika për prirje autoritare, minimin e institucioneve demokratike dhe krijimin e një kulture të patronazhit politik. /REL

    Nga Rubrika
    Bota/Rajoni08 Prill 2025
    Muhamet Mjeshtri ka lindur në New York të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, por prindërit e tij janë nga Dibra – babai...
    Bota/Rajoni08 Prill 2025
    Qeveria e Kinës thotë se do të “luftojë deri në fund” nëse SHBA vazhdon të përshkallëzojë luftën tregtare. Qeveria e Kinës thotë...
    Bota/Rajoni08 Prill 2025
    Liderët e Bashkimit Evropian do ta shqyrtojnë vendosjen e tarifave prej 25 për qind ndaj një sërë importesh nga Shtetet e Bashkuara,...
    Të tjera
    Lajme08 Prill 2025
    Anëtarja e kryesisë në LDK, Jehona Lushaku-Sadriu deklaroi se qytetarët e Kosovës e meritojnë një kërkimfalje publike nga kreu i Vetëvendosjes, Albin...
    Lajme08 Prill 2025
    Kryetari në detyrë i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca ka deklaruar se nuk do të lejojnë që qeveria të vendoset në pozicion...
    Lajme08 Prill 2025
    Nënkryetarja e LDK-së, Doarca Kica-Xhelili, ka thënë se sikur partia e saj të shkonte në takimin e thirrur nga kryetari i LVV-së,...
    Lajme08 Prill 2025
    Kryetarja e partisë ‘Alternativa’, Mimoza Kusari-Lila, në emisionin CONTEXT në ATV, ka komentuar refuzimin e kryetarit të LDK-së, Lumir Abdixhiku, për të...
    Lajme08 Prill 2025
    Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Dimal Basha, ka reaguar ashpër ndaj vendimit të Prokurorisë për të mos kërkuar paraburgim për 12 serbët e...
    Lajme08 Prill 2025
    Katër persona janë lënduar si pasojë e një aksidenti që ka ndodhur sot në fshatin Dobrushë të Istogut. Kështu tha për media...
    -->

    FrontOnline, © 2025 Të gjitha të drejtat e rezervuara.