Pas vendimit të fundit të Ministrisë së Shëndetësisë për masat e reja anti-COVID-19, veç vendimeve tjera, parashihet që ligjëratat të kalojnë në sistemin online.
Kjo masë është praktikuar edhe më herët gjatë këtij viti në vendin tonë, dhe për të ka pasur mendime të ndryshme se sa është e përshtatshme dhe efektive për studentë dhe mësimdhënës.
Sipas një studimi të “World Economic Forum”, në të gjithë botën aktualisht ka më shumë se 1.2 miliard fëmijë në 186 vende të prekura me mbylljen e shkollave për shkak të pandemisë.
Dekani dhe profesori Resul Sinani në kolegjin AAB, për mësimin online tha se edhe pse ishte diçka e imponuar, konsideron se është arritur mobilizimi shumë shpejt që studentët të mos mbesin pa ligjërata.
“Universitete të ndryshme në botë, ka kohë që e aplikojnë mësimin online, mirëpo ajo është e menduar dhe e përgatitur enkas, e jo e imponuar nga rrethanat, siç ishte rasti te ne me pandeminë. Për sa i takon efektit, do të thosha se është e vështirë që mësimi online ta zëvendësojë dhe të ketë efektin e mësimit në klasë, edhe për arsye se studentët tanë nuk janë mësuar me diçka të tillë dhe e kanë të vështirë që të fokusohen ashtu si në ligjëratat e drejtpërdrejta në klasë”, u shpreh Sinani.
Ai thotë se sfidat fillestare me mësimin online ishin problemet teknike sepse jo të gjithë studentët ishin të familjarizuar me teknologjinë. Pastaj, sipas Sinanit, si mangësi është parë edhe qarkullimi i materialeve mësimore online.
“Sigurisht që i mungon kontakti i drejtpërdrejtë, diskutimi, vëmendja, mundësia për të reaguar dhe për t’u aktivizuar, sepse sado që nxiten dhe kërkohen, është e vështirë të arrijë në mënyrën e njëjtë si në ligjëratat e drejtpërdrejta në klasë, bashkëveprimi humbet, jo pse nuk mund të realizohet online, por më shumë për faktin se studentet tanë nuk janë mësuar dhe kam konstatuar se hezitojnë të përfshihen në diskutime, sado që u kërkohet atyre”, u shpreh ai për “Zërin”.
Beatrisa Culaj, studente në Universitetin e Prishtinës dhe në kolegjin AAB, tha se të mësuarit online ka përparësitë dhe mangësitë, varësisht nga studentët.
“Mësimi online të jep mundësinë të mësosh nga secili vend ku ndihesh më rehat, në dhomë, kafe ose kudo që është më e përshtatshme. Kjo është e dobishme për studentët që gjithnjë mundohen të mos shpenzojnë shumë para sepse nuk kanë nevojë të paguajnë apartament në qytetin ku studiojnë”, u shpreh ajo.
Sipas saj, klasat online mund të jenë më stresuese, në kuptimin që ka shumë më shumë detyra dhe projekte që duhen të dorëzohen në një afat të caktuar, andaj kërkon menaxhim të mirë të kohës.
“Tjetra që shpesh ndërlidhet me ketë është problemi me internet ose me rrymë elektrike, ku në shumë raste profesorët ndodh mos ta besojnë studentin që nuk ka pasur mundësi qasjeje në ligjëratë ose në dorëzimin e detyrave të caktuara, ose ka edhe disa probleme teknike kur nuk punon mikrofoni ose kamera”, tha studentja Culaj.
Ajo thotë se të mësuarit online i mungon edhe ana praktike.
“Tek studentët ndodh të mungojë motivimi gjatë mësimit online. I gjithë bashkëveprimi varet nga ligjëruesi, i cili mund të krijojë komunikim mes tyre kur u jep lirinë e shprehjes përmes lojërave, detyrave ose projekteve në grup. Në këtë mënyrë studentët mund të punojnë me njëri-tjetrin edhe pas orëve mësimore në grupe virtuale të studimit”, u shpreh ajo.
Ndërkaq, Prorektori për Çështje Mësimore dhe profesori në kolegjin AAB, Shemsedin Vehapi, tha se të mësuarit online është treguar efektiv dhe si i tillë, për situata të caktuara, ka dhënë rezultate edhe më të mira se forma e të mësuarit të drejtpërdrejtë.
“Përparësitë e mësimit online janë disa dhe ato mund të rendit si në vijim: Avancon njohuritë e studentëve dhe stafit për përdorimin e teknologjisë me qëllimi të përvetësimit të njohurive; Dinamizon procesin e komunikimit në mes të mësimdhënësve dhe studentëve duke i bërë më të saktë dhe më racionalë në planifikimin dhe shfrytëzimin e kohës; Ekonomizon kohën duke ju mundësuar studentëve qasje të lehtë nga të gjitha vendet; Rrit mundësinë për komunikim më të shpeshtë dhe përmirësim të materialeve mësimore të cilat qarkullohen në mes të studentëve dhe mësimdhënësve, dhe; Rrit interaktivitetin dhe krijon mundësi komunikimi më të shpeshtë”, thotë Vehapi.
Profesori Vehapi thekson se ky sistem i të mësuarit ka edhe mangësitë e veta.
“Distanca dhe mungesa e komunikimit të drejtpërdrejtë pamundëson krijimin e ambientit të cilin e ofron klasa reale. Pamundëson punën në grupe më të vogla dhe komunikimin e drejtpërdrejtë. Zvogëlohen mundësitë e punës në grupe dhe qasjes në trajtimin e rasteve të studimit. Pamundëson bashkëveprimin real dhe interaktivitetin i cili ndodh dhe zvogëlon ndjenjën e punës ne ekip. Pamundësohet mundësia për prezantim dhe diskutim para audiencës”, tregon Vehapi.
Mësimet online në përgjithësi nuk janë aq efektive sa mënyra e të mësuarit tradicional, por sigurisht që janë më të mira se sa pa klasa fare. Një bazë e konsiderueshme kërkimore e zhvilluar nga Karl Alexander në Universitetin “Johns Hopkins” dhe shumë të tjerë, tregon se studentët, veçanërisht studentët me më pak burime në shtëpi, mësojnë më pak kur nuk janë në shkollë. Tani për tani, kurset virtuale u lejojnë studentëve të kenë qasje në mësime dhe ushtrime dhe të ndërveprojnë me mësuesit në mënyra që do të ishin të pamundura nëse një epidemi do të kishte mbyllur shkollat ëedhe një apo dy dekada më herët.
Pra, mund të jemi skeptikë për të mësuarit në internet, por gjithashtu ta pranojmë dhe ta përmirësojmë atë.