Presidenti amerikan Joe Biden i është drejtuar popullit nga një konferencë për media nga Kopshti i Trëndafilave në Shtëpinë e Bardhë, për të parën herë që nga konfirmimi i fitores së Donald Trump në zgjedhje.
Biden e nisi fjalën e tij duke thënë se e ka përgëzuar Donald Trump dhe Partinë Republikane për fitoren e zgjedhjeve dhe tha se është e rëndësishme që tani të realizohet një transferim paqësor i pushtetit.
“Dje fola me presidentin e zgjedhur Trump për ta uruar për fitoren e tij dhe e sigurova se do ta drejtoj të gjithë administratën time që të punojë me ekipin e tij për të siguruar një tranzicion paqësor dhe të rregullt. Kjo është ajo që populli amerikan meriton”, u shpreh Biden.
Më tej Presidenti tha se shpreson se klima e tensionuar në vend të mund të qetësohet dhe tonet të ulen, pavarësisht se për kë kanë votuar amerikanët.
Teksa u kthye të fliste për arritjet e tij në drejtimin e Amerikës, Biden tha se administrata e tij po lë pas “ekonominë më të fortë në botë”.
“E di që njerëzit ende lëndohen. Por gjërat po ndryshojnë me shpejtësi. Së bashku, ne kemi ndryshuar Amerikën për mirë”, nënvizoi Presidenti në largim.
Duke qenë se i kanë mbetur edhe 74 ditë për të përfunduar mandatin, Biden theksoi se do të jetë e rëndësishme për ta bërë secilën prej këtyre ditëve të vlejë për Amerikën.
“Kjo është përgjegjësia që kemi ndaj popullit amerikan. Shikoni, njerëz, ju të gjithë e dini – pengesat janë të pashmangshme. Por heqja dorë është e pafalshme. Pengesat janë të pashmangshme. Ne të gjithë rrëzohemi. Por ajo që e mat karakterin tonë, siç do të thoshte babai im, është se sa shpejt ngrihemi përsëri. Mos harroni, një disfatë nuk do të thotë se jemi të mundur”, theksoi Biden në fjalimin e tij./Express/