Ylli i Arsenalit, Bukayo Saka, ka thyer heshtjen e tij pas lëndimit që pësoi e i cili do ta lë atë për një periudhë të konsiderueshme jashtë fushave.
Saka i cili ka shënuar nëntë gola për ‘Topçinjtë’ këtë sezon, ka pësuar një lëndim muskulor në fitoren që Arsenali e mori me rezultat 5-1 ndaj Crystal Palace në udhëtim, ku pas ndeshjes u vendos që ai duhet t’i nënshtrohet operimit.
Në mungesë të tij, Arsenali ka fituar me rezultat 1-0 ndaj Ipswich të premten, falë golit të shënuar nga Kai Havertz.
Por, një ditë më vonë, Saka ka dhuruar një përditësim sa i përket gjendjes së tij shëndetësore, duke ndarë për tifozët një mesazh në Instagram.
Shumica i shohin pengesat, por pak i shohin mundësitë. Rikuperimi ka filluar dhe unë do të rikthehem më i fortë. Faleminderit të gjithëve për mesazhet”, ka shkruar Saka përkrah një fotoje nga shtrati i spitalit.
Saka u përkrah me shumë komente nga tifozët të cilët i uruan atij rikuperim sa më të shpejtë duke shpresuar që ai do të rikthehet sa më parë në fushë sërish.
Por, realiteti është që Saka do të mungojë për një kohë të gjatë, ashtu siç e ka konfirmuar edhe trajneri Mikel Arteta, i cili ditë më parë tha se pret që anglezi të mungojë më shumë se dy muaj.
Ky lëndim i Sakas mund të bëjë që Arsenali të aktivizohet në afatin kalimtar të janarit, ku dyshja franceze Randal Kolo Muani dhe Kinglsey Coman janë përmendur si opsione të mundshme. /telegrafi