Ministri i Tregtisë, Vesel Krasniqi, u raportua se dje e ka lëshuar mbledhjen e 34-të të kabinetit të Qeverisë, pasi nga rendi i ditës u hoq një pikë e propozuar nga kjo ministri, raporton Front Online.
Por, heqja e pikës së rendit të ditës për vendimin për dhënien e statusit investitor strategjik për “Kosmonte Foods”, po del të mos jetë arsyeja e lëshimit të mbledhjes së ekzekutivit.
Ministri Krasniqi në një prononcim për Front Online, thotë se ai në atë kohë kishe një takim tjetër dhe nuk bëhet fjalë për mospajtime apo përçarje brenda koalcionit.
“Po është e vërtetë se e kam lëshuar mbledhjen, por kam pasur një takim dhe ashtu u dakorduam. Kjo u lidh me temën që u largua një pikë e rendit të ditës dhe unë faktikisht nuk pranova pastaj u lidh me atë se unë e lëshova mbledhjen e Qeverisë për shkak të mos futjes në rend të ditës së pikës që unë e kam propozuar. Nuk qëndron kjo dmth unë e kam pasur një takim tjetër. Nuk ka përçarje brenda koalcionit qeverisës”, tha Krasniqi për Front Online.
Pasi Hoti propozoi që kjo pikë të hiqet nga rendi i ditës, Krasniqi kundërshtoi duke thënë se janë kryer të gjitha procedurat në kohë dhe “gjithçka ka qenë pozitive”. Ai u shpreh se s’ka arsye për shtyrje të kësaj pike për në mbledhjen tjetër dhe më pas ka lëshuar mbledhjen.