Votimi në ditën e zgjedhjeve u zhvillua kryesisht pa probleme në të gjithë vendin të martën me vetëm njoftime sporadike për vonesa për shkak të motit ekstrem, gabime shtypi në fletëvotime dhe probleme teknike.
Shumica e problemeve që u paraqitën deri në mesditë ishin “zhvillime të pritshme rutinë dhe për të cilat ishin marrë masat”, tha Cait Conley, këshilltare e lartë e drejtorit të Agjencisë së Sigurisë Kibernetike dhe Infrastrukturës, në një konferencë për shtyp.
Ajo tha se agjencia aktualisht nuk po gjurmonte ndonjë incident në nivel kombëtar, apo të natyrës domethënëse, që mund të ndikonte në sigurinë e zgjedhjeve.
Ndërkohë, FBI-ja të martën pasdite tha se ishte në dijeni të kërcënimeve të shumta jo të besueshme për bomba pranë vendeve të votimit në disa shtete dhe tha se shumë prej tyre dukej se e kishin origjinën nga adresa të postës elektronike të përdorura nga rusët.
Një aspekt që ndihmoi për mbarëvajtjen e votimit në ditën e zgjedhjeve ishte fakti se dhjetëra miliona amerikanë kishin hedhur paraprakisht me postë votat e tyre.
Ndër ta ishin një numër rekord votuesish në Georgia, Karolinën e Veriut dhe shtete të tjera të fushëbetejës që mund të përcaktojnë fituesin. /VOA/