Kryeministri Albin Kurti i ka bërë thirrje mërgatës që të regjistrohen si votues jashtë Kosovës, pasi sot është data e fundit që mund të regjistrohen si të tillë.
Përmes një video-mesazhi, Kurti thotë se ky proces i votimit nuk merr më shumë kohë se katër minuta, minuta këta që sipas të parit të qeverisë janë katër vjet vendimtare për Kosovës, progresin dhe sigurinë, transmeton Klankosova.tv.
“Mërgatë e dashur, ju falënderoj të gjithëve që jeni regjistruar për të votuar nga jashtë vendit, në ambasadat e konsullatat tona dhe përmes postës. Afati i fundit është sonte, ora 23:59 minuta. Andaj ju që ende nuk jeni regjistruar, regjistrohuni dhe përfitoni nga lehtësirat që i kemi bërë për ju për të qenë pjesë e zgjedhjeve tona dhe vendimeve të përbashkëta”.
“Më lehtë e më thjeshtë kurrë s’ka qenë. E di që jeni të angazhuar me punë dhe obligime. Por ju premtoj që procedura nuk ju merr më shumë se katër minuta kohë. Katër minuta të kohës suaj të vlefshme, për katër vjet vendimtare për Kosovën, për progresin dhe sigurinë e shtetit tonë”, tha Kurti.
“E ju që jeni regjistruar, kontaktoni miqtë dhe familjarët tuaj meqë tashmë e dini si bëhet regjistrimi, ndihmoni edhe ata që të regjistrohen suksesshëm. Pa regjistrim nuk ka votim”.