Sot shënohet Dita Botërore për Punën e Denjë (WDDW), një agjendë e zhvilluar nga Organizata Ndërkombëtare e Punës (ILO) në të cilën përmblidhen të gjithë aspiratat e njerëzve përgjatë punësimit të tyre.
Këtë vit, kjo ditë shënohet me temën “Një kontratë e re shoqërore për rimëkëmbjen dhe qëndrueshmërinë”, në kohën kur efektet e pandemisë në shëndetin, punësimin, të ardhurat dhe barazinë gjinore janë më të vështira.
Këtë vit, në shumë vende mbledhjet fizike të njerëzve në ngjarjet e WDDW nuk do të jenë të mundshme për shkak të rrezikut të përhapjes së virusit.
Megjithatë, që nga fillimi i pandemisë, sindikatat në të gjithë globin kanë arritur lartësi të reja në mënyrën se si vendosin teknologjinë për ngjarjet virtuale dhe komunikimet e shpejta. Ky do të jetë një element kryesor për Ditën Botërore 2020 për Punë të Denjë.
Agjenda e punës së denjë mbështetet në katër shtylla veprimi: Politikat e punësimit; mbrojtja shoqërore; standardet e punës dhe dialogu social, fusha këto që kërkojnë angazhimin e jo vetëm aktorëve qeveritarë dhe institucioneve publike për t’u mbërritur, por gjithëpërfshirje edhe të partnerëve socialë, shoqërisë civile dhe grupeve më të gjera të interesit.
Sipas Organizatës Ndërkombëtare të Punës, puna e denjë përfshin shanset për punë që është produktive dhe siguron të ardhura dinjitoze, siguri në vendin e punës dhe mbrojtje sociale për familjet, të ardhme të begatë për zhvillim personal dhe integrim social, liri që njerëzit të shprehin shqetësimet e tyre, të organizohen në mënyrë kolektive dhe të marrin pjesë në vendimet që ndikojnë punën e tyre.
Puna e denjë duhet të jetë në qendër të veprimeve të qeverisë për të rikthyer rritjen ekonomike dhe për të ndërtuar një ekonomi të re globale që i vendos njerëzit në radhë të parë.