Distria Krasniqi dje (e premte) në Lisbonë u stolis me medalje të artë pasi u shpall kampione evropiane në xhudo.
Ajo e pati rrugëtimin e lehtë deri në finale mirëpo aty nuk u ndesh me kampionen e botës, ukrainases Daria Bilodid, pasi që kjo e fundit u tërhoq shkaku i lëndimit.
“Është një ndjenjë shumë e mirë, është hera e parë që bëhem kampione e Evropës”.
“Është nder para lojërave olimpike me u stolis me medalje të artë edhe me qenë kampione e Evropës; dihet që kampionati i Evropës është një garë shumë e vështirë edhe është shumë e madhe”.
Krasniqi tha se luftën deri në finale e ka pasur të lehtë, mirëpo për të ka qenë e rëndësishme përballja me Bilodidin, në mënyrë që t’i masë forcat me të para një ballafaqimi eventual në lojërat olimpike.
“Për mu ka qenë me rëndësi ajo luftë që me e ditë ku jam edhe para lojërave olimpike, se si do të ndeshem me të por ky është sport, edhe ndodhin edhe lëndimet, por jam shumë e lumtur që arrita me u kthy me medalje të artë edhe pse nuk jam ndeshur në finale”.
“Në këtë turne kom vendosë me marrë pjesë vetëm për shkak të saj që me e pas një luftë me të para lojërave olimpike por ndodhi që ajo u lënduar para luftës finale, fati deshi që të mos ndeshem me të edhe këtë herë”.
Krasniqi tha për Klan Kosovën që nuk e di nëse do të marrë pjesë në kampionatin botëror të xhudos, porse i mbetet prioritet përqendrimi në lojërat olimpike të Tokios 2020 që në të vërtetë janë shtyrë për t’u mbajtur sivjet.
“Për mu çka ka mbet është veç me u fokusu mirë për Tokio, me ushtru me e jep maksimumin edhe shpresoj që të mos kem lëndime deri atëherë edhe me e pas një paraqitje sa ma të mirë”, ka përfunduar Krasniqi.