×
  • Opinione
  • Opinione

    Diskriminimi i shqiptarëve si politikë

    FrontOnline
    13 Shkurt 2021

    Shkruan: Sasha ILIQ/Beograd (shkrimtar dhe gazetar serb)

    Nëse këpucët sportive janë nga shitës ambulantë, atëherë ato në trendin urban thirren „shiptarka“. Nëse dikush është i shëmtuar, atëherë ai ka ‘fytyrë shiptari’. Nëse është refugjat nga Kosova atëherë ai është ‘shiptar’. Nëse profesori në shkollë mbanë ligjëratë për tolerancën, atëherë ai merr nofkën ‘shiptar’. Nëqoftëse dikush kritikon pushtetin, atëherë ai është armik i Serbisë dhe detyrimisht ‘shiptar’. Kur dikush flet në dialektin kosovaro-resavian, për të thuhet se ka ‘theks shiptar’. Kur një grup i tifozëve nga Beogradi nis qërrimin e hesapeve me grupin tjetër, thonë se po shkojnë që t’i ‘ç’jerrin shiptarët’. Po qe se shpërthen ndonjë protestë e ndonjë pakice pa të drejta, thuhet se ka ndodhur ‘shiptarizimi i atij vendi’. Kur Aleksandar Vulin, si ministër i Ushtrisë gjatë vitit 2019 deklaroi se angazhohet për ‘kufizimin sa më të shpejtë dhe më të sigurt me shiptarët’, atëherë ai nuk mendon asgjë të mirë për fqinjët shqiptarë në Kosovë. Përkundrazi, deklarata e tij mbështetet pikërisht në traditën e gjatë të përdorimit pezhorativ të etnonimit që në gjuhën serbe mori një shkallë të tërë të domethënieve shprehimisht negative dhe nuk ka kurrfarë lidhjeje me fjalën ‘shqiptar’ të cilën e shfrytëzojnë vet shqiptarët. Prandaj, kur Vulin thotë ‘shiptar’, dhe kur ministrja kosovare e Punëve të Jashtme, Meliza Haradinaj –Stublla thotë ‘shqiptar’, kjo nuk është e njëjta gjë. Këtë e din fare mirë edhe ministri Vulin i cili tetorin e vitit të kaluar e quajti qëllimisht ‘shiptare’ ministren kosovare. Gjatë po atij muaji ministri Vulin pati një vistër paraqitjesh raciste, sepse ky term në gjuhën serbe dehumanizon entitetin i cili mishërohet me të. Në mungesë të politikës, dialogut dhe të përgjigjeve të qëlluara, politikanët serbë shumë kollaj i rreken këtij lloji të diskriminimit të bashkëbiseduesve shqiptarë. Këtë e bëjnë veçmas ata politikanë të cilët kanë qenë ose vazhdojnë të jenë të ngarkuar për koordinimin e marrëdhënieve me Kosovën. Marko Gjuriq, ambasadori aktual i Serbisë në SHBA, ka shfrytëzuar këtë term të shëmtuar në deklaratat e veta zyrtare përderisa drejtonte Kancelarinë për Kosovën dhe Metohinë, në ballë të së cilës më parë ishte Aleksandar Vulin.

    Për shkak të sjelljes së këtillë të Vulinit dhe përdorimit të fjalorit të urrejtjes në komunikimin zyrtar me politikanët shqiptarë, Kryetari i Këshillit Kombëtar të Shiptarëve, Ragmi Mustafa, paraqiti padi kundër tij në qershor të vitit 2019. ‘Respektimi i pakicave është detyrim edhe ligjor edhe kushtetues i Qeverisë, kurse respektimi dhe pranimi i tjetrit është parakusht për një shoqëri demokratike. Në një qeveri demokratike dhe në një shtet demokratik, çdo ministër që në publik ofendon pareshtur pakicat, do të duhej që të paktën të shkarkohet. Shqiptarët nuk janë fajtorë që Qeveria e Serbisë nuk posedon kapacitete demokratike,’- ka thënë Mustafa me këtë rast. Doli që ky konstatim për mungesë të kapacitetit demokratik ta godasë esencën e qëndrimit të politikës së Vuçiqit ndaj shqiptarëve të Kosovës, por edhe në Preshevë. Së shpejti do të mbushen nëntë vjet nga marrja përsipër e përgjegjësisë për zbatimin e procesit të normalizimit ndërmjet Serbisë dhe Kosovës, por nga e gjithë kjo nuk doli asgjë, përveç se urrejtja u shtua deri në masën sa ministrat të cilët ofendojnë shqiptarët botërisht, jo vetëm që nuk sanksionohen, por edhe para gjykatës – falen. Herën e fundit kur një padi e këtillë u gjet para ndonjë gjykate në Serbi ishte nga fillimi i vitit 2017, kur pas padisë së Iniciativës së të Rinjve për të Drejtat e Njeriut kundër Informerit, Gjykata e Apelit në Beograd nxori aktgjykimin që ‘termi ‘shiptar’ për pjesëtarët e nacionalitetit shqiptar të cilët jetojnë në Kosovë e Metohi në gjuhën serbe të konsiderohet përmbajtje politikisht jokorrekte dhe ofenduese’. Në fakt, ‘shiptari’ në diskursin e medias dhe të politikanëve vendorë ishte trajtuar deri tani si gjuhë e urrejtjes, por para dy ditësh më nuk është kështu, pasi Gjykata e Lartë në Beograd hodhi poshtë si të pabazë padinë e Këshillit Kombëtar të Shqiptarëve kundër ministrit Aleksandar Vulin.

    Një epilog i këtillë i procesit gjyqësor prodhoi entuziazëm të përgjithshëm në Lëvizjen e Socialistëve që doli menjëherë me kumtesën e cila vetëvetiu ngërthen diskriminimin dhe degradimin e pjesëtarëve të pakicës shqiptare në Serbi. Nën titullin ‘Fitore e madhe e gjuhës serbe dhe e arsyes së shëndoshë’ Partia e Vulinit porosi si vijon: ‘Sikur Ragmi Mustafa nga Këshilli Kombëtar i Shqiptarëve në Serbi ta dinte më mirë gjuhën serbe dhe historinë e popullit serb, atëherë kurrë nuk do t’i shkonte ndërmend të padisë Aleksandar Vulinin për përdorimin e fjalës ‘shiptar’, fjalë kjo që vjen nga gjuha e tij dhe me të cilën edhe vet ai ashtu e quan veten’. Me kanosjen që nuk fshehet: ‘Sikur Shaip Kamberi, i cili merr pagë deputeti nga qytetarët e Serbisë, ta vlerësonte dhe respektonte më shumë vendin që i ka dhënë gjithçka në jetë, nuk do t’ju bënte thirrje të jashtëligjshme të huajve të ushtrojnë presion mbi jurisprudencën serbe për shkak se po gjykon sipas ligjit dhe pse nuk e ka dënuar Vulinin për shkak se flet gjuhën serbe’.

    Pra, fjala është për një diskrimin të hapur të minoritetit shqiptar në Serbi që është legjitimuar edhe nga gjykata. Pas ‘mbrojtjes së gjuhës serbe’ nga ana e Vulinit, çdo individ, grup ose bashkësi mund të shërbehet me fjalorin e urrejtjes ndaj minoriteteve pa frikë se ka për t’u sanksionuar. Për Aleksandar Vuçiqin dhe Ana Bërnabiqin ky nuk është kurfarë problemi pasi edhe vet marrin pjesë në këtë përçmim kolektiv të shqiptarëve. Ata gjithësesi që qëndrojnë prapa mirëkuptimit të thellë për ‘gjuhën dhe kulturën serbe’, ashtu sikundër i kupton Aleksandar Vulini i cili u gëzua fuqishëm kur dëgjoi për padinë e Ragmi Mustafës: ‘Ky është kompliment për luftën time konsekuente dhe të vendosur për të vërtetën’, tha me këtë rast ministri Vulin duke theksuar se ky është qëndrim vetëm i tij e jo qëndrim i Qeverisë e as i presidentit Vuçiq. Mirëpo, fjala këmbëngulëse diskriminuese e një ministri nuk mund të jetë rast i izoluar e as që mund të trajtohet si fjalë e qytetarit Aleksandar Vulin, sepse është përdorur përderisa po e kryente detyrën e ministrit të Mbrojtjes të Republikës së Serbisë. Po ashtu, kumtesa e Lëvizjes së Socialistëve pas ‘fitores’ së Vulinit zbulon një formë të thellë të diskriminimit, sepse afirmon tezën se gjithkush që është nën jurisdiksionin e republikës, qoftë pakicë ose jo, e ka për borxh të durojë terrorin verbal e çdo tjetër të shumicës, të stereotipeve të ndërthurura të falimit të rrugës që ngritet në nivelin e oratorisë më të lartë të politikës. Prandaj ata u bëjnë thirrje politikanëve shqiptarë që ‘ta mësojnë më mirë serbishten’ dhe të manifestojnë respekt më të madh ndaj ‘vendit që u ka dhënë gjithçka në këtë jetë’. Kjo domethënë se ofendimet dhe përçmimet nënkuptohen dhe se nuk mund të mbroheni nga gjykatat e vendit prej përfaqësuesve të pushtetit të cilët mund t’ju trajtojnë ashtu sikurse t’ju teket. Mirëpo, padia që erdhi nga Këshilli Kombëtar i Shqiptarëve, ndonëse u kualifikua e pabazë, flet për diçka të kundërt. Ajo është shenjë se shqiptarët në Serbi, si edhe pakicat e tjera, e dinë fort mirë edhe gjuhën dhe kulturën serbe, si atë zyrtare ashtu edhe atë jozyrtare, të rrugës, të tifozëve, që është bërë pjesë e kulturës politike të pushtetit të Vuçiqit. Në një ambient të këtillë të ‘arsyes së shëndoshë’ të Vulinit, janë të pakta gjasët për dialog, kurse gati e pamundur për çfarëdo lloji të normalizimit politik.

    Marrë nga: Peščanik.net. Përktheu dhe përshtati: KDP

    Nga Rubrika
    Opinione25 Nëntor 2024
    Shkruan: Ben Blushi 116 vjet më parë, në vitin 1908, aty nga ora 12 paradite, e datës 20 nëntor, që binte e...
    Opinione22 Nëntor 2024
    GJNP ka nxjerrë urdhër-arreste kundër kryeministrit të Izraelit Netanjahu dhe ish-ministrit të Mbrojtjes Gallant. Çfarë do të thotë kjo dhe çfarë pasojash...
    Opinione21 Nëntor 2024
    Nga Hisen Berisha: Kështu veprojnë tradhtarët e të shiturit tek armiqtë e vendit. Në një shtet të konsoliduar me sistem juridik të...
    Të tjera
    Lajme25 Nëntor 2024
    Ministria e Bujqësisë ka dhënë miliona euro grante dhe subvencione. Puna me të cilën ministri Faton Peci mburrej më së shumti u...
    Vip25 Nëntor 2024
    Gjesti është akuzuar nga disa prej banorëve për fshehjen e rrobave. Anisa po insistonte të dinte nga Gjesti nëse ia kishte fshehur...
    Lajme25 Nëntor 2024
    Komuna e Podujevës ka ndriçuar zyrat e saj me ngjyrë portokalli në hapjen e fushatës globale “16 Ditë Aktivizëm Kundër Dhunës me...
    Vip25 Nëntor 2024
    Lela ka biseduar me Vullnetin dhe Arionin mbi situatën me Gjestin. Ajo thotë se është ndjerë e provokuar, dhe aspak s’është ndjerë...
    Lajme25 Nëntor 2024
    Kryeministri i Kosovoës, Albin Kurti ka shkuar në Shtime për ta bërë përurimin e Bibliotekës së re të qytetit. Këtë e ka...
    Vip25 Nëntor 2024
    Lela ndër diskutimesh me banorët në shtëpi ka kërkuar ndihmë për zgjedhjen e fustanit të saj për mbrëmjen e sontme të spektaklit...

    FrontOnline, © 2024 Të gjitha të drejtat e rezervuara.