Qendra ditore për fëmijët në situatë rruge, është një organizatë që funksionon në kuadër të organizatës për fëmijë “Terre des hommes” në Kosovë që nga viti 2019.
Në ambientet e kësaj qendre fëmijët mund të marrin shërbime esenciale duke filluar nga ushqimi, aktivitetet mësimore e ato psiko-sociale.
Edukatorja e kësaj qendre, Liridonë Sekiraqa për Telegrafin rrëfeu procesin e të mësuarit, ajo tha se kjo qendër ju krijon fëmijëve qasje më të lehtë në mësime.
“Qendra ditore është kryesisht për fëmijët në situatë rruge. Fëmijët të cilët i frekuentojnë rrugët, kërkojnë lëmoshë, punojnë në semafora. Për këta fëmijë është hapë qendra dhe ju krijon një mundësi që ata me pas qasje te mësimi mbështetës”, tha ajo.
Sipas, Sekiraqes qendra në bashkëpunim me komunën e Prishtinës, ka bërë që shumë fëmijë të i fillojnë mësimet e rregullta në shkollë.
“Gradualisht organizata e jonë në bashkëpunim me komunën, kemi mbërri që një pjesë të fëmijëve më i regjistru në shkollë të rregulltë, me i largu prej rruge dhe me shkua në shkollë të rregulltë”, tha ajo.
E tani kur edhe ka filluar viti i ri shkollorë për disa nga fëmijët është ndërprerë vijimi i mësimeve, kjo për shkak se ata vijnë nga Shqipëria dhe nuk kanë leje qëndrimi në Kosovë.
“Ndërsa, tani e kemi një problem në fillim të vitit shkollorë sepse shumica e fëmijëve janë nga Shqipëria dhe nuk kanë leje qëndrimi. Tash që është ndërruar mësimi dhe ka kaluar në tërëditor është marrë masa qe këta fëmijë të mos lejohen ta vazhdojnë mësimin, për shkak se nuk kanë leje qëndrimi. Edhe kjo ju ka pengua fëmijëve që të mos ta vazhdojnë tash mësimin e rregullt. Ndërsa, fëmijët e klasës intenzive po, janë duke vazhduar prej kësaj jave na ka njoftuar drejtori i shkollës “Emin Duraku””, tha ajo.
Tutje, ajo shtoi se kjo qendër ju ofron fëmijëve shujta ushqimore, higjienë, aktivitete psiko-sociale e gjithashtu edhe prindërve sesione prindërimi.
“Qendra ditore ju ofron shujta, së pari fëmijët si të vinë në qendër e kanë ushqimin. Nëse është mëngjes është shujta e mëngjesit, mandej është dreka. Pastaj vazhdojmë me aktivitete të mësimit mbështetës, për fëmijët që kanë nevojë për detyra… Pastaj aktivitete psiko-sociale, i’u mundëson lojëra të ndryshme, këshillim psikologjik që i ofron psikologia e qendrës, kemi edhe sesione prindërimi”, tha ajo. /Telegrafi/