Sot ka diplomuar gjenerata e 55-të e kadetëve policorë të Policisë së Kosovës. Bazuar në situatën aktuale të pandemisë COVID-19 nuk është mbajtur ceremonia e diplomimit.
Diplomimi është bërë në grupe të vogla-klasa ,në hapësirat e Akademisë, organizuar nga Drejtoria për Trajnime Themelore-Divizioni i Trajnimeve i Policisë së Kosovës, transmeton Klan Kosova .
Në këtë ngjarje ka marrë pjesë edhe u. d.drejtor i Përgjithshëm i Policisë së Kosovës, Samedin Mehmeti, i cili ka thënë se sot Policisë së Kosovës po i bashkëngjiten 426 policë të rinj që do të jetë ndihmesë e madhe për punën në terren dhe nga të njëjtit ka kërkuar angazhim shtesë sidomos në këtë kohë të pandemisë.
“Duke marrë parasysh se PK-ja ka një imazh të mirë te qytetarët ju duhet të kontribuoni që akoma më shumë të ngrihet niveli i besueshmërisë te qytetarët. Policëve të rinj ju dëshiroj shëndet dhe suksese në detyrën e re në shërbim të qytetarëve”, tha Mehmeti.
Me këtë rast 426 policët e rinj i pranuan certifikatat dhe dhanë betimin zyrtar se do të zbatojnë Kushtetutën dhe ligjet e Kosovës, se do ta mbrojnë sovranitetin dhe integritetin territorial të Kosovës, duke treguar profesionalizëm, përgjegjësi dhe ndershmëri në interes të të gjithë qytetarëve.
Nga data 2 nëntor 2020 policët e rinj do të fillojnë të shërbejnë në kuadër të Policisë së Kosovës, duke vazhduar me pjesën e programit të trajnimit fushor për policët e rinj në stacione policore në kohëzgjatje prej dy vjet nën mbikëqyrje të instruktorëve praktikë/fushorë të Policisë së Kosovës, thuhet në njoftimin e PK-së.