×
  • Lajme
  • Lajme

    Dilemat e gjeneratës që studion në kohë pandemie

    FrontOnline
    23 Janar 2021

    Nida i ka nisur, ndërsa Arrita po i përfundon studimet në kohë koronavirusi.

    Nida Çavdarbasha është studente e vitit të parë në Departamentin e Farmacisë në Universitetin e Karlit (Charles University) në Republikën Çeke.

    Arrita Beqa është në vitin e gjashtë të studimeve të saj në Mjekësi të përgjithshme në Universitetin e Prishtinës.

    Puna praktike për të dyja fushat e studimit është tejet e rëndësishme dhe mund të konsiderohet themel i së ardhmes profesionale.

    Nida, sikur pothuajse të gjithë studentët e gjeneratës së saj ka nisur studimet universitare online. Për një periudhë, ajo ka ndjekur ligjëratat nga dhoma e saj në Kosovë.

    Pas një kohe, asaj i është mundësuar praktika në ambientet e fakultetit në qytetin Hradec Kralove, ndonëse ligjëratat vazhdon t’i ndjekë përmes platformave online.

    Marrë parasysh ndjeshmërinë e studimeve për farmaci, ajo thotë për Radion Evropa e Lirë se nëse nuk do të kishte mundësinë e praktikës, vështirë se do të vazhdonte studimet në këtë periudhë.

    “Nëse do ta dija që praktikën do ta mbajmë me prezencë, atëherë do të studioja edhe në kësi kushte, por nëse praktikën do ta eliminonim fare, nuk besoj se do ta vazhdoja sepse nuk do ta konsideroja veten mjaftueshëm të përgatitur për profesionin e së ardhmes”.

    Nida tregon se për shkak të situatës së krijuar, universiteti ku studion ajo, ka përmbledhur orët praktike nga tre muaj në një. Natyrisht, ky vendim te studentët ka shkaktuar ngarkesë.

    Ngjashëm i ka ndodhur edhe gjeneratës së Arritës. Veçse për këtë të fundit, shkurtimi i orëve të praktikës ka qenë edhe më i dhimbshëm, sepse gjenerata e saj është përgatitur pesë vjet përmes teorisë për të praktikuar më pas gjithçka në vitin e gjashtë.

    “Pjesa e praktikës na ka dëmtuar shumë, sidomos neve studentëve të vitit të fundit, sepse viti i fundit është i paraparë vetëm për praktikë. Për ne është tepër problem që t’i përcjellim ato që i kemi mësuar pa i parë në praktikë. Ndonëse tani Qendra Klinike Universitare e Kosovës është e hapur edhe për studentë, është problem sepse nuk ka pacientë tjerë. Në shumicën e reparteve janë pacientë të shtrirë me koronavirus, e ne mësojmë edhe për shumë sëmundje tjera, por nuk po mund t’i shohim ata pacientë”.

    Arrita beson se gjeneratës së saj do të duhej t’i kompensohej periudha e praktikës.

    “Ndonëse gjenerata jonë diplomon në qershor dhe pastaj ka gjashtë muaj stazh, nuk mendoj se do të përfundojë periudha e pandemisë deri atëherë. Kjo i bie që ne do të mund të mbesim pa praktikën, e cila na takon edhe pasi të diplomojmë”.

    Edhe profesori Fatos Sada, njëherësh prodekan për çështje shëndetësore në Fakultetin e Mjekësisë në Universitetin e Prishtinës, ka pranuar për Radion Evropa e Lirë se në raste të caktuara, mungesa e pacientëve me sëmundje specifike u ka pamundësuar studentëve që të shohin të gjitha proceset që ofron në kushte normale QKUK-ja.

    Sipas tij, secili mjek, asistent apo profesor ka pasur në dispozicion kohë të nevojshme për studentët, duke u bazuar në rekomandimet e dhëna nga Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike në Kosovë.

    “Edukimi i studentëve të Mjekësisë, dhe mjekëve të ardhshëm, është një proces i gjatë, që ata nuk do të duhej të brengosen për humbjet eventuale të shkaktuara gjatë këtij viti, derisa ata janë të përgatitur mirë në aspektin teorik, nëse pandemia do të ndërpritet”, thotë ai.

    Për Visar Sadikun, specialistin e Psikologjisë klinike, dilemat e ngritura nga studentët rreth përgatitjeve profesionale janë krejt normale, meqë pandemia ka provokuar nivele të ndryshme të ankthit.

    “Studentët, të cilët i fillojnë studimet tani vitin e parë janë më të margjinalizuar sesa ata që kanë filluar studimet më herët, dhe fakti që ata nuk njihen mirë me proceset akademike, ndikon jashtëzakonisht shumë që ata të kenë vështirësi të qasen në mënyrën sesi duhet t’i qasemi materialit dhe provimeve”, shprehet ai.

    Sadiku tregon për Radion Evropa e Lirë se pandemia ka shkaktuar pasiguri të gjithmbarshme, e cila po ashtu i ka prekur edhe kapacitetet e tyre të aspektit të të kuptuarit intelektual.

    “Si rrjedhojë kjo ka ndikuar që studentët ndoshta të kenë arritje pak më të ulëta gjatë kësaj periudhe, jo për shkak të mungesës së njohurive, por për shkak të mënyrës se si ata i kanë strukturuar ato (njohuri) si rrjedhojë e mungesës së ndërveprimit social me njëri-tjetrin, krahas literaturës të cilën ata e kanë mësuar”.

    Kalani Bottari, 18-vjeçar nga Uashingtoni studion në Departamentin për Marrëdhënie Ndërkombëtare në Anglo-American University në Pragë.

    Por, pandemia ia ka pamundësuar shkuarjen në kryeqytetin çek.

    “Është për keqardhje. Unë sinqerisht, mezi po pres që të shkoj në Pragë. Kjo është pjesa më e vështirë, që të mos mund të jem në vendin ku jam duke studiuar. Në semestrin e ardhshëm, Uashingtoni më duket se është gjashtë orë mbrapa kohës lokale të Pragës. Në ligjëratat e dy lëndëve, do të më duhet të zgjohem në ora 5 të mëngjesit. Definitivisht, kjo gjë do të jetë e vështirë”.

    Ndonëse programi që studion ai nuk përfshin praktikë të detyrueshme, ai tregon për Radion Evropa e Lirë se diskutimet me kolegët i ka tejet të domosdoshme, pavarësisht pse projektet e përbashkëta me ta janë kthyer në misione vështirë të realizueshme.

    “Unë kam qenë në grup me dy studentë tjerë dhe na është kërkuar që të bëjmë disa projekte. Ka qenë pothuajse e pamundshme që të realizohet. Ata nuk më dërgonin pjesët e tyre deri një ditë para përfundimit të afatit. Nëse do të kishim qenë në klasë, do të ishte shumë e lehtë sepse vetëm do të kërkoja materialet në korridore, shembull ‘Më fal më duhet punimi yt’ ndërsa tani kam nisur emaila me shpresën se do t’i pranojnë. Më pas ua gjeja llogaritë në Instagram, u shkruaja edhe aty, duke shpresuar se përgjigjen”.

    Ndonëse ka përfunduar semestrin e parë, disa kolegë vazhdon të mos i njohë.

    “Në disa klasë kanë kaluar tre muaj dhe shumë personave nuk ua kam parë kurrë fytyrat dhe as nuk i kam dëgjuar duke folur”.

    Edhe për Nidën fillimet kanë qenë tensionuese, mirëpo tani ajo tregon se të gjithë po bëjnë përpjekje të njihen sa më shumë me njëri-tjetrin.

    “Javën e parë kur erdha në Çeki, nuk kam pasur fare praktikë, vetëm ligjërata online. Për një moment ishte shumë e çuditshme sepse në shkollë të mesme qysh në javën e parë e kam njohur tërë klasën, ndërsa këtu në javën e parë as nuk e dija se kush është në klasë me mua, e kush jo. Gjatë gjithë kohës në praktikë kemi tentuar që gjatë punës edhe të njihemi dhe të diskutojmë me njëri-tjetrin pasi jemi njohur vetëm përmes anës teknologjike”.

    Për këtë dhe shumë arsye tjera, Arrita kërkon që studentët të vlerësohen më shumë për shkak të asaj nëpër të cilën po kalojnë.

    “Mendoj që duhet të vlerësohen më shumë studentët, sepse kjo periudhë njëmend ka qenë shumë e vështirë që t’i përfundojmë mësimet, duke pasur parasysh çfarë gjendje ka qenë. Natyrisht, edhe performancat e studentëve nuk do të jenë të njëjta, si kanë qenë viteve tjera, mirëpo mendoj që ata kanë dhënë shumë prej vetes”.

    Një studim i ri kanadez ka gjetur se pandemia e koronavirusit ka rritur sjelljen e pashëndetshme te studentët.

    Gjetjet e publikuara në revistën kërkimore, Applied Physiology, Nutrition and Metabolism, kanë rezultuar pas analizimit të 125 studentëve në Universitetin Saskatcheëan dhe Universitetin Regina në Kanada, të cilët kanë qenë përgjegjës për përgatitjen e ushqimeve të tyre.

    Sipas studimit, periudha e izolimit ka ndikuar në shprehi veçse të dobëta të dietës ushqimore, niveleve të ulëta të aktivitetit fizik dhe konsumimit të madh të alkoolit.

    Për Visar Sadikun, specialistin e Psikologjisë klinike, kjo përvojë e izolimit dhe mësimit online do të jetë përvojë e rëndësishme për studentët e kësaj gjenerate.

    “Kur jemi në kësi gjendje anksioze ose gjendje ankthi, të cilat i provokon pandemia, dhe që pothuajse të gjithë jemi në të njëjtën anije, studentët mësojnë nga përvoja, që do të thotë se mund të jenë të vështira dy apo tri provimet e para dhe më pas të tjerat do të kalohen me lehtësi”.

    Këshilla e tij më e madhe është që në asnjë moment të mos ketë abstenim nga këto procedura, sepse siç thotë Sadiku, studentët më pas rrezikojnë të krijojnë një “repertor të shmangies”, i cili mund t’i përcjellë ata në të ardhmen.

    Nga Rubrika
    Lajme18 Nëntor 2024
    Analisti politik, Dritëro Arifi, për FrontOnline, thotë se takimi i së hënës mes dy qeverive asaj të Kosovës dhe të Maqedonisë së...
    Lajme18 Nëntor 2024
    Analisti politik në Maqedoninë e Veriut, Isen Saliu, për FrontOnline ka folur për takimin mes dy qeverive, asaj të Kosovës dhe të...
    Lajme18 Nëntor 2024
    Ish-ministrja e punëve të jashtme në Qeverinë e Kosovës, Meliza Haradinaj, ka reaguar me anë të një statusi në “Facebook”, duke theksuar...
    Të tjera
    Lajme17 Nëntor 2024
    Dy persona, ngasësi dhe pasagjeri i një motoçiklete janë lënduar si pasojë e një aksidenti që ndodhi sonte rreth orës 22:00 në...
    Bota/Rajoni17 Nëntor 2024
    Presidenti kinez Xi Jinping u zotua të bashkëpunojë me administratën e Donald Trump në SHBA, teksa zhvilloi bisedimet e fundit me presidentin...
    Lajme17 Nëntor 2024
    Kryeministri i Rumanisë, Marcel Ciolacu i është përgjigjur kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti i cili u dha mbështetje lojtarëve të Kosovës të...
    Vip17 Nëntor 2024
    Sara ka dhuruar spektakël sonte, me një performancë të papritur. E gjitha ndodhi gjatë një sfide dhe si dënim nga Xuxi mori...
    Lajme17 Nëntor 2024
    Deputetja e Kuvendit të Kosovës nga radhët e PDK-së, Ariana Musliu-Shoshi, i ka reaguar kryeministrit Albin Kurti, mbi qëndrimin e sontëm të...
    Lajme17 Nëntor 2024
    Ish-ministri i Arsimit, Arsim Bajrami, ka reaguar pas përmendjes së tij nga Kryeministri Albin Kurti lidhur me debatet për doracakët për mësimdhënës...

    FrontOnline, © 2024 Të gjitha të drejtat e rezervuara.