
Këngëtari i ri Diell Durmishi, së bashku me motrën e tij Hana Durmishi, kanë publikuar projektin e tyre më të ri muzikor me titull “Epopeja e UÇK-së”. Kënga vjen në prag të 28-vjetorit të Epopesë së UÇK-së, duke kujtuar luftën e lavdishme të familjes së komandantit legjendar, Adem Jashari.
Projekti është realizuar në një nga vendet më simbolike të historisë sonë kombëtare – pranë kullës së Jasharëve dhe varrezave të familjes Jashari në Prekaz. Përmes këtij videoklipi, vëlla e motër sjellin një homazh artistik, duke ndërthurur emocionin, historinë dhe krenarinë kombëtare.
Në videoklipin e sapo publikuar, Dielli dhe Hana shfaqen me veshje tradicionale kombëtare, si dhe me uniformë të UÇK-së, duke simbolizuar lidhjen e fortë mes identitetit kombëtar dhe sakrificës për liri. Interpretimi i tyre i ndjerë dhe plot shpirt përcjell emocione të fuqishme, duke prekur publikun me mesazhin e këngës.
“Epopeja e UÇK-së” mban firmën e Kujtim Nushit për tekstin dhe muzikën, ndërsa orkestrimi është realizuar nga Duo Bass. Videoklipi është punuar me profesionalizëm nga AL Production, duke i dhënë projektit ngjyrat dhe dimensionin emocional që meriton një këngë me tematikë atdhetare.