Kur shpërtheu konflikti në Nagorno-Karabak muajin e kaluar, Aghasi Asatryan ndodhej mijëra kilometra larg, në Gjermani, duke e zhvilluar karrierën si specialist i IT-së.
Armeni 29 vjeç menjëherë kërkoi pushim nga puna, duke u arsyetuar me një çështje familjare, dhe udhëtoi me aeroplan drejt Yerevanit, qytetit të tij të lindjes, shkruan Reuters.
Në një kodër mbi kryeqytetin armen, ai filloi të trajnohej për luftë në një kamp të formuar nga veteranët e luftës së kaluar në Nagorno-Karabak, enklavë malore që kontrollohet nga armenët etnikë, por që ndërkombëtarisht njihet si pjesë e Azerbajxhanit
“Plani im është që të përgatitem dhe të shkoj në vijën e frontit”, tha armeni që në dorë mbante një kopje të armës AK-47, të bërë tërësisht nga druri.
Asatryan kishte shkuar në Gjermani para shtatë vjetëve si student, duke e shmangur shërbimin e detyrueshëm ushtarak. Ai asnjëherë më parë nuk ka mbajtur armë në dorë dhe tha se nuk mund t’u thoshte shefave që po kthehet në atdhe për të luftuar, transmeton Gazeta Express.
“Punëdhënësit e mi gjermanë nuk do ta kuptonin një burrë që dëshiron të shkojë në luftë, por unë e di se ne, armenët, nuk do të kishim mbijetuar për shumë shekuj pa e kuptuar se secili burrë duhet të luftojë për atdheun e tij”, shtoi ai.
Asatryan është një nga qindra vullnetarët që kanë ardhur në javët e fundit nga shumë shtete, përfshirë Argjentinën dhe Shtetet e Bashkuara, për t’iu bashkuar Shkollës së Mbijetesës “VOMA”.
Themeluesi i shkollës, Vova Vartanov, kishte luftuar në luftën e zhvilluar në vitet 1991-1994 në Nagorno-Karabak, kur ishin vrarë rreth 30.000 persona. Ai tash është kthyer në vijën e frontit si udhëheqës i një batalioni vullnetarësh.