×
  • Lajme
  • Lajme

    Dialogu Kosovë-Serbi, Prelec: Normalizimi i madh është njohja de facto

    FrontOnline
    04 Janar 2025

    Eksperti për Ballkanin nga Grupi Ndërkombëtar i Krizave, Marko Prelec, deklaroi për RTK-në se është e domosdoshme të punohet për përmirësimin e marrëdhënieve Kosovë-Serbi në çështjet e përditshme, ndërkohë që pjesa politike e normalizimit, që lidhet me njohjen de facto, nuk ka përparuar.

    Sipas tij, Marrëveshja e Ohrit, e projektuar si një hap drejt përmirësimit të marrëdhënieve, po përballet me pengesa për shkak të moszbatimit të detyrimeve kyçe, si formimi i Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe.

    Eksperti për Ballkanin nga Grupi Ndërkombëtar i Krizave, Marko Prelec, vlerëson se procesi i dialogut ndërmjet Serbisë dhe Kosovës është aktualisht në pritje. Sipas tij, marrëdhëniet ndërmjet dy vendeve kanë nevojë për një normalizim të vogël dhe një normalizim të madh.

    “Normalizimi i madh është njohja de facto, një hap që do t’u mundësonte vendeve evropiane që nuk e kanë njohur Kosovën të ndërmarrin hapa drejt njohjes. Por, gjasat për këtë janë shumë të vogla. Është më realiste të shpresohet për një normalizim të vogël, përmirësimi i marrëdhënieve të përditshme, tregtia më e lirë dhe mirëkuptimi për problemet konkrete me të cilat përballen qytetarët. As kjo nuk është e garantuar, por është e mundshme,” shpjegon Prelec.

    Duke folur për njohjen de facto, Prelec thotë se kjo duhej të realizohej përmes Marrëveshjes së Ohrit.

    “Kjo fazë parashikonte që Marrëveshja e Ohrit dhe zbatimi i saj do të duhej të hapte rrugën për njohjen e Kosovës nga pesë vendet e BE-së që ende nuk e njohin, ose të paktën përmirësimin e marrëdhënieve me to. Për Serbinë, kjo do të nënkuptonte trajtimin e Kosovës si shtet sovran dhe i pavarur, por pa njohje formale,” thekson ai.

    Prelec shton se viti 2025 fillon me pritje për qëndrimin e presidentit amerikan Donald Trump, ndërkohë që mbetet të shihet se si do të zhvillohet dialogu nën ndërmjetësimin e BE-së dhe çfarë ndikimi do të kenë zgjedhjet në Kosovë në muajin shkurt.

    “Është e qartë se dialogu mes Prishtinës dhe Beogradit duhet të vazhdojë. Qëndrimet e të dyja palëve janë të njohura dhe hapësira për kompromis është e vogël. Nuk ka shumë shpresë për një sukses të madh, por bisedimet duhet të vazhdojnë, edhe pse me pritshmëri më të ulëta për transformime të mëdha. Sa i përket implementimit të Marrëveshjes së Ohrit, kjo duket të jetë një përpjekje nga BE-ja për të dhënë një imazh optimist për një çështje shumë të ndërlikuar,” thekson Prelec.

    I pyetur pse nuk po zbatohet një marrëveshje tashmë e dakorduar, Prelec thekson se ekziston një tekst në letër, por edhe një thelb i asaj që është negociuar.

    “Marrëveshja është e pazakontë. Nuk është nënshkruar kurrë; ishte deklarata e Borrellit ajo që e shpalli të pranuar. Thelbi i marrëveshjes përfshin një seri lëshimesh nga të dyja palët. Beogradi duhej të ndërmerrte hapa drejt njohjes de facto, ndërsa Prishtina duhej të siguronte autonomi më të madhe për komunitetin serb,” thekson ai.

    “Që nga arritja e marrëveshjes, qeveria e Kosovës e ka bërë të pakuptimtë autonominë, jo plotësisht, por në shumë aspekte, duke vendosur autoritet mbi veriun e Kosovës. Krijimi i Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe tashmë ka më pak rëndësi sesa kur u arrit marrëveshja. Për këtë arsye, mendoj se Beogradi do të vazhdojë të vonojë implementimin, ndërsa Prishtina tashmë po vonon krijimin e Asociacionit,” thekson Prelec.

    Duke komentuar nëse qeveria e ardhshme e Kosovës do të duhet të krijojë Asociacionin, Prelec shton: “Është e vështirë të parashikohet. Por çështja më e rëndësishme mbetet ajo e të drejtave të komunitetit serb dhe se si do të sigurohen dhe respektohen ato të drejta për qytetarët serbë që jetojnë në Kosovë.”

    Nga Rubrika
    Lajme06 Janar 2025
    Deri në 4 orë janë duke zgjatur pritjet për të dalë nga Kosova në pikën kufitare në Merdar. Sipas të dhënave të...
    Lajme06 Janar 2025
    Afaristë dhe përfaqësues biznesesh thanë se viti 2024 u karakterizua me sfida të shumta. Sipas tyre mungesa e fuqisë punëtore krahas rënies...
    Lajme06 Janar 2025
    Në këtë kontekst, edhe eksperti i njohur i çështjeve të arsimit, Argjend Osmani, e thekson se rënia e interesit për Universitetin e...
    Të tjera
    Lajme06 Janar 2025
    Ish-zëvendësministri i Arsimit dhe njohësi i arsimit, Xhavit Rexhaj, për FrontOnline, ka dhënë një analizë të hollësishme mbi rënien e numrit të...
    Kronika06 Janar 2025
    Një rast ka ndodhur mesditen e së dieles në Aerportin Ndërkombëtar Adem Jashari. 50 fishekë janë konfiskuar nga një valixhe të një...
    Kronika06 Janar 2025
    Një incident ka ndodhur në orët e para të ditës së diele në rrugën “Hajrulla Zymi” në Fushë Kosovë. Një burrë u...
    Lajme06 Janar 2025
    Në anën tjetër njohës të fushës, por edhe profesor të Universiteteve Publike thonë se në konkurset e shpallura nuk po plotësohet numri...
    Bota/Rajoni06 Janar 2025
    Një stuhi e madhe e borës, akullit, erërave dhe ulja e temperaturave në Shtetet e Bashkuara ka krijuar kushte të rrezikshme udhëtimi...
    Sport06 Janar 2025
    Mesfushori nga Kosova me shtetësi zvicerane, Granit Xhaka, është shpallur si “Lojtari më i vlefshëm”  i vitit në Zvicër. Ky çmim iu...

    FrontOnline, © 2025 Të gjitha të drejtat e rezervuara.