×
  • Lajme
  • Lajme

    Dialogu Kosovë-Serbi, një vit pa biseduar

    FrontOnline
    12 Shtator 2024

    Ka një vit që nuk janë ulur përballë njëri-tjetrit, ndonëse pro bisedimeve shprehen të dy.

    Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, janë takuar për herë të fundit më 14 shtator të vitit 2023.

    Dhjetë ditë pas atij takimi ka ndodhur sulmi i armatosur në Banjskë, ku grupe të armatosura serbësh kanë vrarë një polic të Kosovës.

    Një përpjekje e Bashkimit Evropian për t’i ulur bashkë në tryezë, në muajin qershor, ka dështuar, për shkak të, siç është thënë, disa kushteve që ka nxjerrë Kurti, e që Vuçiq i ka kundërshtuar.

    Radio Evropa e Lirë pyeti Qeverinë e Kosovës nëse po shqyrtohet mundësia e ndonjë takimi mes Kurtit e Vuçiqit, por nuk mori përgjigje.

    Vetë kryeministri u pyet për një mundësi të tillë edhe nga gazetarët, gjatë një vizite në Mitrovicë të Veriut më 10 shtator, por tha se “nuk e di nëse do të ketë takim”.

    “Edhe nëse do të ketë, nuk e di se kur dhe cilat do të jenë temat. Duhet të dimë më shumë për të dhënë një përgjigje”, tha Kurti.

    Në të njëjtën ditë në Beograd, Vuçiq u tha gazetarëve se “Serbia është gjithmonë për dialog” dhe u shpreh “i gatshëm të shkojë të bisedojë me Kurtin që sot”.

    Politika e brendshme – prioritet

    Analisti i çështjeve politike në Kosovë, Agon Maliqi, thotë se, në rrethanat aktuale, një takim mes Kurtit dhe Vuçiqit mund të ndodhë vetëm nëse ata konsiderojnë se përfitojnë për politikat e tyre të brendshme.

    Sipas tij, ka një varg çështjesh që mund ta nxisin takimin e tillë, përfshirë këtu aktakuzën që ngriti Prokuroria Speciale e Kosovës më 11 shtator për sulmin në Banjskë apo çështjen e urës së Ibrit.

    “Megjithatë, ky do të ishte më shumë një takim për menaxhim krize – siç kanë qenë takimet në këta dy-tre vjetët e fundit – sesa për të ecur përpara me zbatimin e Marrëveshjes Bazë [për normalizimin e marrëdhënieve Kosovë-Serbi]”, thotë Maliqi.

    Kjo marrëveshje është arritur në shkurt të vitit të kaluar, por nuk është zbatuar dhe palët kanë akuzuar njëra-tjetrën për mosangazhim.

    Kemi një marrëveshje që duhet të zbatohet, tha Kurti më 10 shtator.

    Vitin e kaluar, kryeministrja e atëhershme e Serbisë, Ana Brnabiq, i dërgoi një letër BE-së, ku shprehu rezerva për këtë marrëveshje.

    Përfaqësuesi i posaçëm i BE-së në dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, tha më 6 shtator se Serbia e ka tërhequr këtë letër. Por, me gjithë përpjekjet, Radio Evropa e Lirë nuk arriti të merrte një konfirmim për këtë nga Qeveria e Serbisë.

    Jo para zgjedhjeve

    “Takime për zbatim të Marrëveshjes Bazë – unë dyshoj se mund të ketë diçka me përmbajtje përpara zgjedhjeve në SHBA dhe zgjedhjeve në Kosovë”, thotë Maliqi.

    Presidencialet në SHBA mbahen në nëntor, ndërsa parlamentaret në Kosovë në shkurt të vitit të ardhshëm.

    Maliqi thotë se Kurti do të jetë mjaft i kujdesshëm që një takim i mundshëm me Vuçiqin të mos i ndikojë negativisht në fazën aktuale parazgjedhore.

    Mendim të ngjashëm shpreh edhe politologu nga Beogradi, Ognjen Gogiq.

    Në një të ardhme të afërt, sipas tij, takimi do të ndodhte vetëm sa për të mbajtur gjallë frymën e dialogut.

    “Unë mendoj se në BE ka gjithmonë gatishmëri dhe dëshirë për mbajtjen e takimeve Vuçiq-Kurti, sepse ato duken bukur për diplomacinë evropiane”, thotë Gogiq, por shprehet skeptik për ndonjë rezultat.

    “…por, Serbia nuk do ta bëj këtë, sepse nuk i konvenon marrëveshja, pavarësisht se e ka pranuar”, thotë ai.

    Si Maliqi, ashtu edhe Gogiq, një pjesë të përgjegjësisë për këtë ngërç në dialog ia hedhin vetë BE-së si ndërmjetësuese të procesit.

    Sipas tyre, ajo nuk i ka shfrytëzuar mekanizmat e “shpërblimit dhe dënimit” për palët.

    BE-ja vazhdimisht u kërkon atyre që çështjet e hapura t’i zgjidhin me dialog.

    Përderisa një takim i ri mes Kurtit e Vuçiqit nuk duket në horizont, Lajçak tha javën e kaluar se është arritur pajtim për një rund të ri bisedimesh midis kryenegociatorit të Kosovës, Besnik Bislimi, dhe atij të Serbisë, Petar Petkoviq, por datë specifike nuk dha.

    Kosova është në qendër të kritikave nga bashkësia ndërkombëtare, për shkak të disa hapave që ajo i konsideron të njëanshëm dhe të pakoordinuar në pjesën veriore, të banuar me shumicë serbe.

    Në fund të gushtit, autoritetet kanë mbyllur pesë institucione paralele serbe atje, me arsyetimin se kanë vepruar jashtë ligjeve të Kosovës, ndërsa kanë paralajmëruar edhe hapjen për qarkullimin e makinave të urës së Ibrit, e cila ndan Mitrovicën në jugun e banuar me shumicë shqiptare dhe veriun e banuar me shumicë serbe.

    Edhe pse ka marrëveshje si për urën, ashtu edhe për strukturat paralele, të arritura në Bruksel, aleatët perëndimorë i kërkojnë Kosovës që të gjitha çështjet që lidhen me situatën në veri, t’i trajtojë në kuadër të dialogut.

    Kur nuk ka pranuar të takohet me Vuçiqin në muajin qershor, Kurti ka thënë se nuk mund të ketë bisedime me të derisa nuk plotësohen tri kërkesa: nënshkrimi i Marrëveshjes Bazë, tërheqja e letrës së Brnabiqit dhe dorëzimi në Kosovë i Milan Radoiçiqit dhe grupit të tij, të dyshuar për sulmin e armatosur në Banjskë.

    Derisa për letrën ka njoftime se është tërhequr, rreth dy kërkesave të tjera, deri më tash, nuk ka asnjë zhvillim.

    Vuçiq paralajmëroi për datën 13 shtator një adresim para opinionit në lidhje me kërkesat e Serbisë dhe veprimet e Kosovës në veri. /REL/

    Njoftimet nga KEDS për punimet në rrjet, vendet që do të mbesin pa rrymë
    Nga Rubrika
    Lajme12 Shtator 2024
    Në ditët në vijim në Kosovë, priten reshje e shiu e rënie të temperaturave. Sipas një përgjigje për Klankosova, nga parashikuesi Meteorologjik...
    Lajme12 Shtator 2024
    Ministri i Jashtëm rus, Sergei Lavrov, ka thënë se serbët e Kosovës janë duke u persekutuar ngjashëm me “persekutimin nazist të popullatës...
    Lajme12 Shtator 2024
    Dogana e Kosovës gjatë ditës së sotme ka ndaluar dy automjete me targa të huaja, e të cilat nuk i kishin të...
    Të tjera
    Bota/Rajoni12 Shtator 2024
    Në Alpet bavareze ra bora e parë. Fotot e para kanë mbërritur nga maja Zugspitze, më e larta në Gjermani e cila...
    Bota/Rajoni12 Shtator 2024
    Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, e quajti “shkatërrues” propozimin për paqe të paraqitur nga Kina dhe Brazili, që tha se është krijuar pa...
    Lajme12 Shtator 2024
    Kuvendi i Kosovës nuk ka pasë kuorum për të vazhduar pjesën e dytë të seancë së sotme parlamentare. Kryetari Kuvendit, Glauk Konjufca,...
    Lajme12 Shtator 2024
    Policia me urdhëresë të Gjykatës në Mitrovicë ka bastisur lokalet e Bankës Popullore të Serbisë, dega në Kosovë, Drejtoria e Thesarit në...
    Vip12 Shtator 2024
    Hati, personazhi i famshëm i TikTok-ut, është ndaluar nga Policia Rrugore pas postimit të një videoje ku influencerja shihet në makinën e...
    Bota/Rajoni12 Shtator 2024
    Laboratori kinez nga ku drejtori i FBI-së, Chris Wray dhe anëtarët e Kongresit besojnë se ka të ngjarë të ketë rrjedhur Covid-19,...

    FrontOnline, © 2024 Të gjitha të drejtat e rezervuara.