Lëvizja Qytetare (GP) URA kurrë nuk do të lejojë që koncepti civil dhe sekular i shtetit të Malit të Zi të rrezikohet në asnjë mënyrë, tha kreu i asaj partie, Dritan Abazoviq, duke shtuar se nuk mendon se përbërja e propozuar e qeverisë së ardhshme kërcënon këto parime themelore.
Kur u pyet nëse do të jetë zëvendëskryeministër dhe Ministër i Brendshëm, siç ka propozuar i mandatuari për të krijuar qeverinë e re të Malit të Zi, Zdravko Krivokapiq, dhe nëse mund i është ofruar një tjetër portofol, Abazoviq tha se do të qëndronte në pozitat e gjertanishme, raporton rtcg.
“I mandatuari më tha se do të donte të ishte i vetmi zëvendëskryeministër i ngarkuar me sektorin e sigurisë. Nëse qëndron me këtë, unë jam i gatshëm ta pranoj atë detyrë, por nëse ka plane të tjera – nuk e kam problem të mos jem pjesë e kësaj”, specifikoi Abazoviq, transmeton Telegrafi.
Ai tha se nuk e dinte kush do të ishte Ministri i Punëve të Brendshme dhe se kishte disa kandidatë.
“Ne ishim në kërkim të zgjidhjeve më të mira. Në çdo rast, është shumë e rëndësishme të qëndrosh i përqendruar dhe të vendosësh personin e duhur në atë pozicion”, shtoi Abazoviq.
Ndryshe, Kuvendi i Malit të Zi do të mblidhet më 2 dhjetor për votuar qeverinë e re pas zgjedhjeve parlamentare që janë mbajtur muaj më parë.