Policia e Kosovës ka dhënë detaje të reja lidhur me laboratorin e drogës që u gjet në fshatin Miokovicë të Leposaviqit gjatë ditës së martë.
Në njoftimin e policisë thuhet se përgjatë operacionit policor u gjetën 409 bimë të kanaibisit, një pushkë gjuetie, fishekë dhe jakne e Policisë së Kosovës.
Zbulohet një laborator droge në Leposaviq, arrestohet një person e një tjetër në arrati
“Policia e Kosovës, konkretisht Njësia e antidrogës (DHTN) Mitrovicë veri pas një pune hetimore dhe sigurimit të informatave të besueshme nga tereni se disa persona të dyshuar kanë improvizuar një laborator për kultivimin e bimëve të dyshuara të kanabisit, sot me datën 07.05.2024, nën asistimin e zyrtarëve policor nga Drejtoria rajonale e Policisë (DRP) Mitrovicë veri dhe patrullave të Stacionit Policor në Leposaviq kanë realizuar një operacion të suksesshëm bastisje dhe kontrolli në fshatin Miokovicë të Leposaviqit, Mitrovicë veri”, thuhet në njoftim.
“Bastisja është kryer në një shtëpi banimi të të dyshuarit me iniciale (M.I.) dhe objektet përcjellëse, ku në një objekt përcjellës banimi në një dhomë është gjetur një laborator i improvizuar për kultivimin e bimëve të dyshuara të kanabisit”.
“Operacioni policor ka rezultuar me gjetjen e gjithsej (409) bimëve të dyshuara të kanabisit me gjatësi prej 5 deri në 15 cm, një pushkë gjuetie me gjithsej (43) fishek të gjuetisë, si dhe pajisje tjera të cilat nevojiten për improvizimin e laboratorit (poqa, ventilim, termostate, nxehëse, etj.), si dhe një jakne e Policisë së Kosovës”, vijon njoftimi.
Ndaj të dyshuarit M.I. është vendosur masa e ndalimit 48-orësh, ndërkaq S.S. është në kërkim.