Agjencia Reuters ka publikuar detaje nga sulmi që ndodhi paraditen e së enjtes në Nice të Francës. Tashmë janë konfirmuar tre të vdekur.
Policia tha se në mesin e viktimave është një grua që i është hequr koka në një kishë.
Kryetari i qytetit jugor, Christian Estrosi, shkroi në rrjetet sociale se sulmi me thikë ka ndodhur brenda ose afër kishës “Notre Dame” dhe se policia e ka ndaluar sulmuesin.
Ky sulm ndodhi më pak se dy javë pasi Franca u trondit nga një rast tjetër, kur më 16 tetor, një i ri me prejardhje çeçene ia hoqi kokën një mësuesi pasi ky i fundit kishte shfaqur karikaturë të profetit Muhamed para nxënësve.
Publikimi i karikaturës ka nxitur reagime të shumta në vendet me shumicë myslimane dhe Franca i ka paralajmëruar qytetarët që jetojnë ose udhëtojnë drejt atyre vendeve që të jenë më të kujdesshëm.