Në Departamentin Special të hënën ka dështuar të nis gjykimi ish-sekretarit të Ministrisë së Infrastrukturës Betim Reçica dhe tre zyrtarëve të tjerë, Isa Berisha, Leonora Limani dhe Mirdit Emini lidhur me akuzat për keqpërdorime në tenderin për Autostradën e Gjilanit.
Ish-sekretari i MI Betim Reçica po akuzohet për disa vepra penale, përfshirë ushtrim ndikimi, dy vepra të keqpërdorimit të detyrës zyrtare dhe për shpëlarje të parave, ndërsa tre zyrtarët e tjerë, Isa Berisha, Leonora Limani dhe Mirdit Emini akuzohen vetëm për keqpërdorim të detyrës zyrtare.
Si arsye për dështimin e kësaj seance ka qenë mos pajisja me shkresa të lëndës për të akuzuarin Betim Reçica nga ana e Prokurorisë Speciale.
Kërkesën për shtyrje të kësaj seance e ka paraqitur mbrojtësi i të akuzuarit Reçica, avokati Florin Vërtopi, me arsyetimin se i mbrojturi i tij nuk mund të deklarohet për fajësinë pa u dorëzuar shkresat e dosjes nga prokuroria.
“Në akuzë janë propozuar të dëgjohen 15 dëshmitarë si dhe janë propozuar që të administrohen 23 prova materiale. Nga leximi i provave materiale, në aktakuzën e dorëzuar nga gjykata shihet se nuk është propozuar si provë dosja e tenderit komplet, prandaj i nderuar kryetar me respektin më të madh ndaj jush, mbrojtja propozon që kjo seancë të shtyhet, ngase dispozitat prej nenit 244 deri tek neni 250 nuk lejojnë që të lexohet aktakuza e as të deklarohet i akuzuari për akuzën derisa nuk i dorëzohen të gjitha shkresat e dosjes”, tha avokati Vërtopi.
Ky qëndrim i avokatit Vërtopi u përkrah edhe nga të akuzuarit e tjerë dhe mbrojtësit e tyre.
Ndërsa, prokurorja speciale Habibe Salihi deklaroi se kishte vepruar konform dispozitave ligjore, pasi që nga ngritja e aktit akuzues, ajo kishte njoftuar palët se mund të pajisen me shkresat e lëndës.
Sa i përket të akuzuarit Reçica, prokurorja Salihi tha se i njëjti ishte njoftuar edhe me shkrim, për mundësinë e pajisjes me këto shkresa. Më pas, prokurorja Salihi i ka dorëzuar avokatit Vërtopi edhe një CD, me arsyetimin se ajo përmbante të gjitha provat e lëndës.
Në rrethana të tilla, gjykatësi i rastit Musa Konxheli mori vendim që kjo seancë të ndërpritet. Seanca e radhës u caktua për datën 15 prill nga ora 09:30. /Betimipërdrejtësi/