×
  • Lajme
  • Kronika
  • Kronika

    Dështon seanca e Apelit në rastin e të dënuarit me 17 vjet burg për shtytje në vrasje të rëndë

    FrontOnline
    02 Tetor 2019

    Mos sjellja në gjykatë e të akuzuarit për shtytje në vrasje të rëndë, Arlind Ahmeti, ka bërë që të dështojë seanca në Gjykatën e Apelit, ku do të shqyrtoheshin ankesat e palëve të ushtruara kundër aktgjykimit të shkallës së parë.

    E për mos sjelljen e tij në gjykatë, zyrtarët e njësitit të transportit të Shërbimit Korrektues të Kosovës, njoftuan kolegjin e Apelit, të kryesuar nga gjykatësi Abdullah Ahmeti, se nuk kanë pasur urdhëresë për sjelljen e të akuzuarit për seancën e së mërkurës.

    Po ashtu, edhe gjykatësi raportues për këtë rast, Driton Muharremi, tha se gjykata nuk ka prova se i akuzuari është ftuar me rregull për seancë, raporton “Betimi për Drejtësi”.

    Ndryshe, i pranishëm në seancë ishte mbrojtësi i të akuzuarit, avokati Asdren Hoxha.

    Për shkak të mungesës së të akuzuarit, seanca e së mërkurës është shtyrë për 10 tetor 2019, nga ora 10:00.

    Gjykata Themelore në Prishtinë, më 16 prill 2019, e kishte shpallur fajtor Arlind Ahmetin, i akuzuar se në bashkëkryerje me Agron Vllasaliun, më 24 nëntor 2017, para kafenesë “Francisko” në rrugën “Fehmi Agani”, në Prishtinë, kanë privuar nga jeta tani të ndjerin Nehar Sahiti.

    Për këtë vepër, ndaj tij ishte shqiptuar dënim unik prej 17 vjetësh burgim.

    Kryetari i trupit gjykues Vesel Ismajli, në shpalljen e aktgjykimit, kishte njoftuar palët se gjykata ka ndryshuar kualifikimin juridik të veprës penale për të akuzuarin Ahmeti, nga vrasje e rëndë në bashkëkryerje, në veprën penale të shtytjes në vrasje të rëndë.

    Sipas trupit gjykues, gjatë shqyrtimit gjyqësor nuk është vërtetuar gjendja faktike se Ahmeti së bashku me Vllasaliun, kanë kryer veprën penale të vrasjes së rëndë në bashkëkryerje, pasi gjykata nuk ka vërtetuar me asnjë provë se Vllasaliu ka pasur më herët konflikt me tani të ndjerin, por pasojat e shkaktuara janë ndërmarrë duke qenë i shtyrë nga Ahmeti.

    Për shtytje në vrasje të rëndë, Arlind Ahmeti, është dënuar me 16 vjet burgim, kurse me një vit e gjashtë muaj burgim është dënuar për armëmbajtje pa leje.

    Më pas, ndaj tij është shqiptuar dënim unik prej 17 vjetësh burgim, në të cilin do të llogaritet edhe koha e kaluar në paraburgim nga 25 nëntori 2017, e tutje.

    Ndryshe, sipas aktakuzës, më 24 nëntor 2017, para kafenesë “Francisko” që gjendet në rrugën “Fehmi Agani” në Prishtinë, i akuzuari Arlind Ahmeti, në bazë të marrëveshjes paraprake me të akuzuarin tjetër, Agron Vllasaliu, i cili gjendet në arrati, kanë privuar nga jeta tani të ndjerin Nehar Sahiti dhe kanë rrezikuar jetën e tani të dëmtuarve, Behar Sahiti, Lumbardh Kukaj, Freskim Farizi, R. K. dhe Mërgim Kqiku.

    Prokuroria pretendon se pas fjalosjes së të akuzuarit Arlind Ahmeti, me vëllezërit Nehar e Behar Sahiti, derisa Agron Vllasaliu ishte në veturë, e ka hapur dritaren e automjetit dhe ka shtënë dy herë me revole, duke e goditë tani të ndjerin Nehar Sahiti dhe të dëmtuarit e tjerë në aktakuzë, me ç‘rast nga plagët e marra, i ndjeri ka ndërruar jetë në QKUK.

    Me këtë, para se të rikualifikohej vepra penale, i akuzuari Arlind Ahmeti, në bashkëkryerje me të akuzuarin Agron Vllasaliu, akuzohej se ka kryer veprën penale “vrasje e rëndë”.

    Gjithashtu, sipas aktakuzës, i akuzuari Arlind Ahmeti, pa autorizim ka poseduar dy revole, që kanë qenë pronë e tij, të cilat janë gjetur dhe sekuestruar në motelin “Vila Kuinc”, ku siç thuhet në aktakuzë, të akuzuarit kishin kaluar natën pas kryerjes së veprës penale.

    Me këtë, sipas aktakuzës, i akuzuari ka kryer veprën penale “mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”.

    Ndryshe, i pandehuri tjetër Agron Vllasaliu është arratisur dhe është i paarritshëm për organet e drejtësisë. /Front Online/

    Nga Rubrika
    Kronika04 Mars 2026
    Dy persona janë rrahur mes vete, si pasojë e një mosmarrëveshjeje në komunikacion në Fushë Kosovë. Sipas njoftimit të Policisë, rasti ka...
    Lajme04 Mars 2026
    Analisti politik, Arton Demhasaj në një prononcim për “Front Online” ka folur lidhur me zhvillimet e fundit rreth çështjes së zgjedhjes së...
    Lajme04 Mars 2026
    Deputeti i Kosovës, Xhavit Haliti, ka komentuar rreth çështjes së zgjedhjes së presidentit të Kosovës, duke theksuar se koalicioni politik me Lëvizjen...
    Të tjera
    Lajme04 Mars 2026
    Ish-anëtari i Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, Blerim Burjani, për FrontOnline ka komentuar mundësinë e organizimit të zgjedhjeve të reja në vend, duke...
    Kronika04 Mars 2026
    Një rast i vjedhjes së rëndë është raportuar mbrëmjen e së martës në Gjakovë. Në raportin 24-orësh të policisë, bëhet e ditur...
    Kronika04 Mars 2026
    Një person ka ndërruar jetë në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës, ku po trajtohej pas vetaksidentit që kishte pësuar në autostradën “Ibrahim...
    Bota/Rajoni04 Mars 2026
    Garda Revolucionare e Iranit tha të mërkurën se kontrollon Ngushticën e Hormuzit, një rrugë jetësore transporti për naftë dhe gaz, dhe çdo...
    Lajme04 Mars 2026
    Ish-kryetari i Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, Mazllum Baraliu, ka folur për FrontOnline për një shkuarje eventuale të vendit në zgjedhje të reja,...
    Kronika04 Mars 2026
    Një 10 vjeçar me origjinë shqiptare ka vdekur para disa ditësh në Itali. Ngjarja tragjike ndodhi para disa ditësh në Foggia, raportojnë...

    FrontOnline, © 2026 Të gjitha të drejtat e rezervuara.