Një armëpushim i tretë në enklavën e Nagorno-Karabakut duket se dështoi të hënën, duke mos arritur t’u japë fund katër javë luftimesh mbi territorin e diskutueshëm.
Armenia dhe Azerbajxhani akuzuan njëri-tjetrin për shkelje të armëpushimit të ndërmjetësuar nga Shtetet e Bashkuara menjëherë pasi ai hyri në fuqi në orën 8:00 të mëngjesit me kohën lokale.
Ministria e Jashtme e Azerbajxhanit tha në një deklaratë se forcat armene kishin hedhur granata në fshatrat e rajoneve Terter dhe Lachin në një “shkelje të rëndë” të armëpushimit.
Nga ana e saj, ministria e Mbrojtjes së Armenisë përdori gjuhë të ngjashme, duke thënë se forcat azere kishin “shkelur rëndë” armëpushimin me zjarr artilerie përgjatë pjesëve të ndryshme të vijës së luftës.
Departamenti Amerikan i Shtetit dhe qeveritë e Azerbajxhanit dhe Armenisë njoftuan për “armëpushimin humanitar” të fundit në një deklaratë të përbashkët të dielën.
Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, shkroi në Twitter “Urime kryeministrit armen Nikoll Pashinyan dhe presidentit azer Ilham Aliyev, të cilët sapo ranë dakord t’i përmbahen një armëpushimi që hyn në fuqi në mesnatë. Shumë jetë do të shpëtohen”.
Sekretari i Shtetit Mike Pompeo tha në postim në Twitter po të dielën se SHBA-ja ndërmjetësoi “negociata intensive” dhe ministri i Jashtëm armen Zohrab Mnatsakanyan dhe ministri i Jashtëm i Azerbajxhanit Jeyhun Bayramov “janë zotuar ta zbatojnë dhe t’i përmbahen armëpushimit”.
Një armëpushim ishte arritur edhe me ndërmjetësimin e Moskës, por edhe ai dështoi. \ Voa