×
  • Lajme
  • Lajme

    Dështimi i projektligjit për rimëkëmbje ekonomike po e rrëzon ekonominë

    FrontOnline
    11 Tetor 2020

    Vonesa e miratimit të Ligjit për rimëkëmbje ekonomike COVID -19, po vështirëson aktivitetin e bizneseve private, thotë Shpejtim Kuqi, drejtor i kompanisë “Solid”, sipas të cilit, bizneset po punojnë me humbje.

    Ky projektligj, pas gjashtë dështimeve, do të paraqitet të hënën, më 12 shtator, në seancën e jashtëzakonshme të Kuvendit të Kosovës, për t’u votuar në lexim të parë.

    Bizneset private, disa herë kanë shprehur shqetësimin se janë grumbulluar problemet e shkaktuara nga kriza e pandemisë me koronavirus, duke vënë në rrezik mbijetesën e tyre.

    Një nga bizneset që pret ndihmë nga qeveria pas miratimit të Ligjit për rimëkëmbje ekonomike, është kompania për prodhimin e këpucëve “Solid” në Suharekë. Kjo kompani, përveç tregut vendor, gjendet edhe në tregjet e Francës, Gjermanisë, Greqisë, Italisë, Maqedonisë së Veriut, Malit të Zi, por edhe në Afrikë.

    Drejtori ekzekutiv në këtë fabrikë, Shpejtim Kuqi, në një bisedë për Radion Evropa e Lirë, thotë se institucionet shtetërore nuk po i kushtojnë vëmendje sektorit privat, konkretisht industrisë prodhuese.

    Ai tregon se aktualisht në kompani punojnë rreth 300 punëtorë, kurse shitja dhe eksporti ka rënë deri në 30 për qind. Kjo rënie, ka ndikuar në të hyrat financiar, rrjedhimisht ka vështirësi për prodhim.

    “Numrin e punëtorëve jemi duke e mbajtur të njëjtë, jemi duke e mbajtur me forcat tona, jo që kemi punë për të gjithë, po mundohemi që mos të largojmë punëtorë nga punë. Thjesht, jemi duke nxjerrë para nga xhepi dhe po fusim në biznes, luftë jemi duke bërë që mos të mos zvogëlojmë numrin e punëtorëve dhe të mbajmë gjallë industrinë. Duke shpresuar gjithmonë se shteti i kthen sytë nga sektori privat”, thekson Kuqi.

    Qeveria duhet mbulojë shpenzimet për paga të punëtorëve

    Kuqi shpreson se me miratimin dhe zbatimin e Ligjit për rimëkëmbje ekonomike, qeveria do arrijë të subvencionojë pagesat e punëtorëve, në mënyrë që të lehtësojë gjendjen financiare të kompanisë.

    “Ne presim që qeveria për tre muaj t’i mbulojë shpenzimet e kompanisë për paga dhe kontribute të punëtorëve, në mënyrë që mos të ndalim prodhimin. Në muajin mars-prill-maj, kompania ka paguar të gjithë punëtorët dhe subvencionet e qeverisë nuk i kemi zbritur në paga të punëtorëve”, tha Kuqi.

    Gjatë muajve mars dhe prill, Qeveria e Kosovës, në bazë të Pakos Emergjente Fiskale, ka ndarë nga 170 euro në muaj për punëtorët në sektorin privat.

    Përfaqësuesit e gastronomëve, gjatë një proteste kundër masave kufizuese, ia kishin dorëzuar “çelësat” e bizneseve të tyre Qeverisë së Kosovës.

    Projektligji për rimëkëmbje ekonomike COVID- 19, është dokumenti bazë përmes të cilit po synohet të mbështeten në mënyrë financiare bizneset private, pas humbjeve të shkaktuara nga pandemia me koronavirus. Ky projektligj kap vlerën e 385 milionë eurove.

    Partitë opozitare në Kuvendin e Kosovës, Lëvizja Vetëvendosje dhe Lidhja Demokratike e Kosovës, nuk po e votojnë ligjin, me arsyetimin se nuk përmbush kërkesat e bizneseve.

    Votimi i këtij projektligji, veç tjerash, do t’iu mundësonte qytetarëve kontributpagues të tërheqin 10 për qind të mjeteve nga llogaria e tyre në Fondin e Kursimeve Pensionale të Kosovës, kurse qeverisë rreth 100 milionë euro nga Agjencia Kosovare e Privatizimit.

    FMN nuk përkrah tërheqjen e mjeteve të Trustit

    Por, Fondi Monetar Ndërkombëtar (FMN), nuk e ka përkrahur iniciativën e Qeverisë së Kosovës për tërheqjen e 10 përqindëshit të mjeteve nga Fondi i Kursimeve Pensionale, pasi kjo zvogëlon pensionet e ardhshme dhe kufizon madhësinë e tregut të brendshëm të kapitalit.

    Kurse arsyeton fokusimin e një pjese të mjeteve të Agjencisë Kosovare të Privatizimit (AKP) te masat zbutëse dhe të rimëkëmbjes në buxhetin e vitit 2021.

    Por, subjektet ekonomike në Kosovë, Oda Ekonomike e Kosovës, Oda Ekonomike Amerikane në Prishtinë, Aleanca Kosovare e Biznesit, Oda e Afarizmit dhe Klubi i Prodhueseve të Kosovës, disa herë kanë kërkuar nga deputetët e Kuvendit të Kosovës, që të votojnë Projektligjin, në mënyrë që të rimëkëmben bizneset, pasi shumë nga to janë në rrezik të shuarjes.

    Lufta politike po shkatërron ekonominë

    Mosmiratimi i këtij projektligji në Kuvendin e Kosovës, po ndodh për shkak të inateve politike në mes pozitës dhe opozitës, thotë Mejdi Bektashi, profesor në Universitetin e Prishtinës. Sipas tij, kjo luftë politike po shkatërron ekonominë dhe pasojat janë të pariparueshme.

    “Deputetët duhet të ndërpresin mosmarrëveshjet e tyre politike dhe të mendojnë seriozisht për mbijetesën e bizneseve dhe shtresave më të varfra të popullsisë. Sepse nëse vazhdon ky avaz, atëherë rënia ekonomike në Republikën e Kosovës do të jetë dy ose trefish më e lartë se në shtetet tjera të rajonit. Kuvendi i Kosovës duhet të jetë në shërbim të aktualitetit dhe të shpëtimit të funksionimit të bizneseve. Përndryshe, lufta politika kundër ekonomisë do të jetë më shkatërrimtare se çdo tjetër presion”, tha Bektashi.

    Edhe Fondi Monetar Ndërkombëtar ka thënë se populli i Kosovës dhe ekonomia e saj janë goditur rëndë nga pandemia. Politikat fiskale dhe financiare kanë zbutur ndikimin e goditjes në ekonomitë familjare dhe biznese, ndonëse mungesa e konsensusit politik deri më tani ka parandaluar një reagim më të fortë të politikave.

    Rukiqi: Mbi 30 mijë vende pune do të humbin deri në fund të vitit

    Ndërkaq, kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Berat Rukiqi, ka thënë se të vetmit të paprekur nga kjo krizë në ekonomi, janë ata (deputetët) në parlament që marrin vendime, kurse familjarët e tyre i kanë të punësuar në institucionet publike.

    Humbjet e deritashme në ekonominë e Kosovës të shkaktuara nga pandemia, sipas tij, janë një miliard euro, kurse deri në fund të vitit mund të humbin mbi 30 mijë vende pune, ka thënë Rukiqi në rrjetin social Facebook.

    Në pamundësi të miratimit të Projektligjit për rimëkëmbje ekonomike, Qeveria e Kosovës, në fund të muajit shtator ka ndarë 60 milionë euro, për t’i rikuperuar humbjet që kanë pësuar nga pandemia COVID-19, shumë kjo që ende nuk ka filluar të transferohen te kompanitë.

    Transferimi i 60 milionë eurove, “të jetë transparent”

    Transferimi i këtyre mjeteve duhet të ndahet në mënyrë transparente, ka kërkuar Fondi Monetar Ndërkombëtar. Mjetet e planifikuara duhet të sigurojnë që të mbrohen vendet e punës në kompani.

    Sipas FMN-së kriteret për kualifikim për këto mjete duhet të jenë të qarta dhe listat e përfitueseve duhet të bëhen publike.

    Nga Rubrika
    Lajme13 Nëntor 2024
    Nënkryetarja e Lidhjes Demokratike të Kosovës dhe deputetja Hykmete Bajrami, në Debat Plus ka treguar për një vendim të ministrit të Financave...
    Lajme13 Nëntor 2024
    Deputetja e LDK-së, Hykmete Bajrami, lidhur me edukimin seksual në shkolla, ka theksuar se dokumentet dhe doracakët përkatës nuk janë miratuar gjatë...
    Lajme13 Nëntor 2024
    Gjenerali amerikan, Wesley Clark thotë Shqipëria ka sukses në zhvillimin ekonomik, teksa sipas tij, Kosova mund të bëjë më shumë. Clark u...
    Të tjera
    Lajme13 Nëntor 2024
    Deputetja e LDK-së, Hykmete Bajrami, lidhur me edukimin seksual në shkolla, ka theksuar se dokumentet dhe doracakët përkatës nuk janë miratuar gjatë...
    Lajme13 Nëntor 2024
    Gjenerali amerikan, Wesley Clark thotë Shqipëria ka sukses në zhvillimin ekonomik, teksa sipas tij, Kosova mund të bëjë më shumë. Clark u...
    Lajme13 Nëntor 2024
    Ferid Agani nga Lista për Familje ka thënë se është kundër edukatës seksuale në shkolla me këtë model të MAShT-it. Agani në...
    Lajme13 Nëntor 2024
    Deputetja e PDK-së, Ganimete Musliu ka thënë se Ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci po bënë hajgare me deklarata se ”1 mijë ushtarë...
    Lajme13 Nëntor 2024
    Komandanti i KFOR-it, Gjeneralmajor Enrico Barduani është takuar sot në Prishtinë me presidenten Vjosa Osmani, me të cilën shkëmbyen mendime për situatën...
    Lajme13 Nëntor 2024
    Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku ka njoftuar për takimin me fermerët nga Prishtina, për të cilët ka thënë se...

    FrontOnline, © 2024 Të gjitha të drejtat e rezervuara.