Turqia dhe Greqia janë goditur sot nga një tërmet i fuqishëm prej 7.0 magnitudë, ku si pasojë humbën jetën të paktën katër persona dhe qindra tjerë u lënduan; kur u shembën dhjetëra ndërtesa dhe u shkaktua një mini-cunami që mbuloi rrugët me ujë.
Sipas CNN, përcjell Telegrafi, Zeki Soysal, një dëshmitar në qytetin turk të Izmirit tha se u hodh nga një objekt derisa tërmeti goditi në ato çaste.
“Unë u hodha jashtë në sekondën e fundit derisa ndërtesa u shemb nga dridhjet”, tha ai për CNN.
“Ishte një grua më e moshuar në ndërtesë, që arritëm ta shpëtojmë. Afër kësaj ndërtese gjendet një objekt tjetër, dhe ekipet po punojnë t’i nxjerrin njerëzit jashtë”, u shpreh Soysal.
Ndryshe, agjencia turke e katastrofave natyrore ka konfirmuar se katër persona kanë humbur jetën dhe 120 tjerë janë lënduar, derisa katër tjerë janë lënduar në Greqi – ku gjithashtu u shkaktua një mini-cunam në ishullin Samos. /Telegrafi/