Partizani kërkon me patjetër të paktën një qendërmbrojtës në merkaton e verës, pasi Eneo Bitri dhe Roberto Dominguez janë larguar nga klubi. Për momentin, është vetëm Egzon Belica pjesë e të kuqve, por dhe ky i fundit nuk ka nisur ende negociatat për rinovimin. Nisur nga kjo situatë, drejtuesit e të kuqve kanë nisur punën në merkato.
Emri i cili ka dalë së fundmi si dëshirë e trajnerit Daja për prapavijën, është ai i Bajram Jashanicës. Trajneri i Partizanit kërkon një ribashkim me qendërmbrojtësin, pasi e ka pasur në ekip te Skënderbeu, si dhe i pëlqen shumë karakteristikat sportive të futbollistit. Por, ka një problem, pasi Jashanica është në kontratë me Ballkanin, aty ku luajti edhe sezonin që lamë pas. Në rast se mbrojtësi arrin ta zgjidhë kontratën me klubin e Ballkanit, do t’i hapej rruga e transferimit te Partizani ose te… Dinamo.
DERBI – Përveç “demave të kuq”, për Jashanicën interesohet edhe skuadra e sapongjitur në Superiore, Dinamo. Blutë e kryeqytetit duan shërbimet e qendërmbrojtësit. Jashanica do të gjente te Dinamo trajnerin Shkëmbi që e kishte te Ballkani, si dhe kanë qenë për shumë kohë shokë ekipi. Dy oferta tepër të kënaqshme këto për Jashanicën, që është pro një rikthimi në Superiore.