Të mërkurën do të zhvillohet ndeshja e dytë gjysmëfinale e Kupvs së Kosovës, ku mes vete do të përballen Llapi dhe Prishtina.
Në ndeshjen e parë, Llapi arriti ta befasojë Prishtinën në “Fadil Vokrri” duke fituar me rezultat 2:3, shkruan FrontOnline.
Ndërkaq, tani, skuadrës së Tahir Batatinës i mbetet ta mbrojë rezultatin në ndeshjen më të rëndësishme të edicionit për llapjanët.
Derisa Prishtina lufton edhe për titull edhe për kupë, Llapi është i përqëndruar vetëm në kupë për shkak se në këtë mënyrë e kërkon kalimin në garat evropiane.
Në prag të ndeshjes, FrontOnline ka biseduar me mesfushorin e Llapit, Arbnor Ramadani dhe portierin e Prishtinës, Ardit Nika.
Të dy futbollistët janë shprehur optimistë për skuadrat e tyre në këtë derbi rajonal.
Ramadani: Ndaj Prishtinës, do të jetë përballja e vitit për ne
Njëri prej futbollistëve më të mirë të Llapit këtë edicion, Arbnor Ramadani duke e komentuar fitoren e fundjavës ndaj Gjilanit, pret përballje të vështirë ndaj Prishtinës.
“Kishim ndeshje të vështirë ndaj Gjilanit, por nuk mendoj se fitorja ishte befasi pasi që kemi një skuadër mjaft të mirë sa që mund të mposhtim çdo kundërshtar. Sa i përket Prishtinës, sigurisht se do të jetë përballja e vitit për ne”, ka thënë fillimisht Arbnor Ramadani, duke vazhduar:
“Nëse arrijmë ta ruajmë rezultatin, do të jemi në finale të Kupës së Kosovës, e cila ka qenë objektiv që nga fillimi i kampionatit”.
Tutje, “truri” i skuadrës llapjane thotë se ndeshja ndaj kryeqytetasve do të jetë e vështirë, teksa thotë se atmosfera në skuadër është mjaft e mirë.
“Do të përgatitemi maksimalisht që të japim maksimumin. Shpresojmë që ta ruajmë atë epërsi që kemi nga ndeshja e parë, por sigurisht se do të jetë ndeshje mjaft e vështirë pasi Prishtina ka skuadër të fortë. Atmosfera në skuadër është shumë e mirë, mezi e presim ndeshjen. Sa i përket kritikave, ne jemi brenda objektivave dhe shpresojmë t’i arrijmë ato. Kritikat na bëjnë më të fortë”, përfundoi të hënën për FrontOnline Arbnor Ramadani.
Nika beson se Prishtina mund ta “përmbysë” Llapin
Portieri i Prishtinës, Ardit Nika e ka komentuar ndeshjen e së mërkurës ndaj Llapit.
Ish-“gardiani” i Flamurtarit beson se kryeqytetasit mund t’ia dalin të fitojnë dhe kualifikohen tutje në Podujevë.
“Kemi një skuadër mjaft cilësore dhe besoj se me koncentrim maksimal mund t’ia dalim dhe ta përmbysin rezultatin në Podujevë”, thotë Nika.
Derisa Prishtina po lufton në të dyja frontet, Nika shpreson që skuadra e tij t’i fitojë të dyja.
“Është e vështirë të luftojmë në të dyja frontet, por kvshtu e ka futbolli. Duhet të jemi të gatshëm për çdo ndeshje dhe ta japësh maksimumit. Personalisht, kam dëshirë t’i fitojmë të dy titujt. Sepse çdo titull e ka ëmbëlsinë e vet. Shpresojmë t’ia dalim”, deklaroi të hënën për FrontOnline Ardit Nika./FrontOnline/