Deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës, Valdete Idrizi ka kërkuar nga kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti dhe ministri i Shëndetësisë, Armend Zemaj të deklarohen se pse nuk ka të dhëna sa i përket të infektuarve me COVID-19 nëpër komunat me shumicë serbe.
Idrizi përmes një postimi në Facebook, ka thënë se sipas hartës të cilën e ka publikuar Qeveria e Kosovës, komunat me popullsi shumicë serbe janë vlerësuar me zero, për çka ajo pyet nëse Qeveria i njeh si komuna të territorit të Kosovës ato.
“Kryeministër Hoti, ministër Zemaj, ku janë të dhënat e komunave veriore, me popullatë shumicë serbe. Sipas hartës suaj komunat me popullatë shumicë serbe janë vlerësuar të gjitha me zero. z. Kryeministër, edhe këto komuna janë në Kosovë dhe do të duhej t’i kishit në bazën e të dhënave të shtetit, apo ju nuk po i shihni si komuna tona? Apo mos vallë ka mundësi që ska virus fare për komuna me shumicë serbe??? Eh, shtrirja e sovranitetit dhe dorës së shtetit!”, shkruan Idrizi.