Deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Ganimete Musliu, ka kritikuar ashpër procesin gjyqësor në Hagë dhe ka shprehur shqetësimin për katër vitet e paraburgimit të krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK).
Ajo e ka quajtur këtë një “puro padrejtësi” që po bëhet në emër të drejtësisë dhe ka theksuar se Gjykata e Hagës është një ofendim për parimet bazë të drejtësisë.
‘’Katër vjet privim nga liria është puro padrejtësi që po bëhet në emër të drejtësisë. Gjykata e Hagës është ofendim për parimet bazë të drejtësisë, e cila pa fije dyshimi do të jetë në anën e çlirimtarëve tanë’’, tha Musliu për FrontOnline.
Musliu ka shprehur besimin se, pavarësisht vështirësive, krerët e UÇK-së do të dalin fitimtarë, pasi, sipas saj, ata janë çlirimtarët e Kosovës dhe do të mbeten gjithmonë të tillë.
‘’Ata do të kthehen fitimtarë, sepse të tillë janë dhe të tillë do të mbetem përgjithmonë’’, tha Musliu. /FrontOnline/