Deputetja e Kuvendit të Kosovës nga radhët e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Valentina Bunjaku-Rexhepi, si dhe drejtori i administratës komunale të Gjilanit, Bardhyl Syla do të dalin para gjykatës ngase janë të paditur për shpifje dhe fyerje.
Padia është ushtruar nga një qytetare nga komuna e Gjilanit e cila ka kërkuar që të mos i publikohet emri për shkak të ndjeshmërisë së rastit. Megjithatë ajo ka folur për këtë rast ngase sipas saj deputetja dhe drejtori komunal e kanë cenuar dinjitetin e saj personal duke i shkaktuar dhimbje shpirtërore ngase kanë shpifur për moralin e saj. Thotë se asnjëherë nuk ka arritur që të punësohet në institucionet publike shkaku i këtyre shpifjeve. Deklaron se është e diplomuar në fakultetin e edukimit dhe se në vitin 2009 kishte aplikuar për një vend pune si mësimdhënëse.
Për disa vite rresht kishte marr pjesë në konkurset të cilat ishin shpallur nga drejtoria komunale e arsimit ku kërkoheshin mësimdhënës mirëpo nuk ishte pranuar. Thotë se nuk është pranuar si mësimdhënëse ngase drejtori komunal, Bardhyl Syla i cili në periudhën sa ishte zyrtar komunal i arsimit kishte zhvilluar një fushatë kundër saj duke shpifur rreth moralit të saj. Deklaron se në vitin 2018 kishte shkuar në drejtorinë komunale të arsimit që të interesohet rreth punësimit por Syla kishte kërkuar që të largohej nga hapësirat e DKA-së duke e fyer me fjalë. “Më ka fyer me fjalët të cilat nuk dëshiroj që të ceken këtu. Në vazhdimësi ka shpifur rreth moralit tem. Dhe për këtë nuk kam arritur që të punësohem si mësimdhënëse sepse fjalët kanë pasur ndikim çfarë janë thënë për mu. Kam konkurruar në 6 apo 7 konkurse por e kam parë se kot nuk më pranojnë për shkak të thashethemeve të cilat janë përhapur. Gjoja se unë kam një të kalume të keqe dhe nuk e meritoj të pranohem si mësimdhënëse” thotë ajo.
Thotë se ishte takuar me deputeten Valentina Bunjaku-Rexhepi në periudhën kur ajo ishte kryetare e Kuvendit Komunal të Gjilanit. Thotë të ketë kërkuar nga ajo ndihmë sa i përket punësimit dhe për këtë kishte gjetur mirëkuptim. Por sipas saj sjellja e deputetes Valentina Bunjaku-Rexhepi kishte ndryshuar për shkak të atyre thashethemeve të cilat ishin përhapur. Deklaron se vet deputetja ishte përfshirë më vonë në përhapjen e këtyre thashethemeve tek shumë njerëz. Ndërkaq fjalët negative për të ishin transmetuar edhe tek familja e saj e ngushtë, pjesa tjetër e familjes së gjerë, miqtë dhe farefisi duke i pamundësuar asaj që të ketë një jetë normale brenda rrethit të saj. “Më kanë shkatërruar me ato çfarë kanë bërë ndaj meje. Kam qarë dhe u është dashur të përballem edhe me prindërit e mi për këto shpifje. E kam ndjerë veten me turp kur kam ec nëpër rrugë. Sepse kanë shpif rreth moralit tem. Kam menduar se do të vdes nga dhimbja. Dhe për këtë kam bo padi në gjykatë edhe gjykata e ka aprovuar padin tem edhe tash kanë me u përball me mu. Se prej vitit 2009 nuk kam arrit që të punësohem për shkak të këtyre fjalëve që janë përhap” shprehet ajo.
Por drejtori komunal i administratës, Bardhyl Syla këto akuza i quan trillime. Thotë se është i befasuar me këtë padi. “Nuk është e vërtetë. Kryekëput është trillim. Kur e kam parë atë padi jam befasu. A jam unë Bardhyl Syla ose mos um ka gabu me ndokënd tjetër. Unë e njoh si figurë mirëpo kurrë me të unë nuk kam zhvilluar bisedë, kurrë më të nuk kam pasur problem. Karakteri jem me sha me fy nuk vjen në shprehje. Ajo duhet me pas një argument. Ajo ka mujt mem ingjizu ka mujt me pas ndonjë dëshmitar. Kjo është trillim kryekëput prej saj. E kam njoft vetëm si figurë që ka ardh në drejtorinë e arsimit siç kanë ardhur edhe palë tjera. Cila është arsyeja që kam shpifur ndaj saj? Pse me shpif?. Nuk e di. Kur e kam dhënë përgjigjen në padi kam thënë ose qëndron dikush prapa saj po e përdor dikush. Nuk e di motivin e saj definitivisht. Por duhet pritur gjykata” ka thënë ai.
Ndërkaq deputetja Valentina Bunjaku-Rexhepi ka deklaruar se nuk dëshiron që të flas për këtë rast. “Ajo nuk është e vërtete. Ajo ka probleme mendore. Nuk du që të prononcohem për këtë çështje dhe për këtë duhet të flet gjykata” ka thënë ajo.
Ndërkaq Gjykata Themelore e Gjilanit ka konfirmuar se lënda do të shqyrtohet. “Në lidhje me kërkesën tuaj, ju njoftojë që padia është dorëzuar me datë 13.06.2019 dhe është formuar lënda me numër C.nr. 526/2019. Lënda ka për kontest: padi për shpifje dhe fyerje. Për shkak të pandemisë Covid – 19, siç dihet është ndërprerë procesi i punës për disa muaj në Gjykatë dhe ka bërë që lënda të mos caktohet deri më tash. Mirëpo në muajt e ardhshëm do të caktohet për gjykim” thuhet në përgjigjen e gjykatës.