Albana Bytyqi, deputete e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), ka reaguar ndaj doracakut për edukimin seksual të vitit 2023, duke e cilësuar si një skandal. Ajo e quajti këtë doracak një dëshmi të dështimit të Qeverisë.
“Kjo qeveri ka shkalluar në çdo aspekt të mundshëm, e skandali i fundit me doracakun mbi edukimin seksual, duhet të jetë edhe fundi i tyre në qeverisje’’, tha Bytyqi për Front Online.
Sipas saj, doracaku përmban antivlera dhe është plotësisht i papërshtatshëm për fëmijët dhe rininë e Kosovës.
Ajo tha se, megjithëse është pro për edukimin e shëndetshëm të rinisë, ky doracak është një eksperimentim i rrezikshëm me tema delikate, pa u siguruar që përmbajtja e tij është e përshtatshme për moshën dhe fazën e zhvillimit të nxënësve.
‘’Në atë doracak është promovuar antivlera dhe gjëra që as mendja nuk ka mundur të na shkojë ndonjëherë por përkundrazi të bëjnë materiale që nuk janë aspak edukative e aspak të përshtatshme. Jemi për edukimin e shëndetshëm të rinisë sonë, por jo për eksperimentimin me tematika kaq delikate pa u siguruar që përmbajtja është e përshtatshme, kulturore dhe pedagogjike për moshën dhe fazën e zhvillimit të nxënësve’’, tha deputetja e AAK-së.
Ajo theksoi se edukimi seksual duhet të informojë dhe ndërgjegjësojë, por jo të shkojë në kundërshtim me vlerat dhe kulturën e Kosovës. Përfundimisht, ajo e bëri të qartë se ky doracak nuk mund të jetë pjesë e shkollave të Kosovës.
‘’Edukimi seksual duhet të synojë informim dhe ndërgjegjësim, por kurrsesi të mos jetë në kundërshtim me vlerat tona dhe kulturën tonë. Andaj jo ky doracak assesi nuk bën të jetë pjesë e shkollave tona’’, përfundoi Bytyqi.
Opozita dhe ekspertet kërkojnë tërheqjen e doracakut për edukimin seks*ual