Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Eman Rrahmani ka ironizuar me kryetarin e Prishtinës, Shpend Ahmetin pasi shumica e rrugëve janë bllokuar për shkak të reshjeve të borës.
Përmes një postimi në Facebook, Rrahmani tha me ironi se Ahmeti po e ruan borën për ta mbushur lumin e Prishtinës.
Ky reagimi erdhi pasi drejtori i Investimeve Kapitale në Komunën e Prishtinës, Gëzim Mehmeti, ka thënë se në “Rrugën A” në Prishtinë do të ndërtohet një lum.
Reshjet kanë shkaktuar probleme në qarkullim të automjeteve derisa kolona të gjata janë krijuar nëpër rrugët që dërgojnë në kryeqytetin e Prishtinës.
Kolona të gjata janë krijuar në autostradën “Ibrahim Rugova”, rrugën Prizren-Gjakovë dhe magjistralën Prizren-Prishtinë dhe magjistralën Pejë-Prishtinë.
Policia e Kosovës ka apeluar te qytetarët të tregojnë kujdes të shtuar gjatë ngasjes në rrugë për shkak të reshjeve të mëdha të borës.